Liverpool me shumë gjasa do të fitojë kampionatin e saj pas 30 vitesh pritje dhe vuajtjesh. Do ta bëj atë me një marshim triumfal, 22 fitore në 23 ndeshje, pa llogaritur fitoren e Champions League vitin e kaluar dhe Kupën e Botës për klube këtë vit.
Por FA Cup është diçka ndryshe, pjesë përbërëse e futbollit anglez, që dikur e preferonte edhe ndaj kampionatit. Kjo sepse marrin pjesë ekipe nga ligat më të ulta, në disa raste pothuajse gjysmëprofesionistë, që kanë mundësi të ballafaqohen me idhujt e tyre, shpesh herë duke bërë një figurë të mirë.
Siç është rasti i Shrewsbury, që sot ndali “Reds” 2-2 në stadiumin e saj të tejmbushur me 16 mijë spektatorë, duke shtrënguar kampionët e Europës të luajnë në Anfield kthimin.
Shrewsbury nuk kalon një moment të mirë as në League One, në kategorinë e tretë angleze, ku ndodhet në vendin e 16-të, por ndaj Liverpoolit gjeti ndeshjen e jetës.
Vetë Liverpool vinte me një ekip të mbushur me zëvendësues dhe të rinj, por që secili prej tyre me shumë gjasa merr sa i tërë ekipi i Shewsbury-t.
Liverpool kaloi në avantazh të dyfishtë 2-0, por zotët e shtëpisë reaguan me dinjitet, duke barazuar falë disa gabimeve të mbrojtjes së miqve më të njohur, dhe tashmë do të kenë dhuratën më të madhe në karrierë, debutimi në Anfield. (A2 Televizion)