Huamarrja për pandeminë, mbi 1 miliard euro borxh i ri, shumë pak në ekonomi

Nga A2 CNN
19 Mars 2021, 16:14 | Ekonomi
Huamarrja për pandeminë, mbi 1 miliard euro borxh i ri, shumë pak

Qeveria ka rritur ndjeshëm huamarrjen gjatë vitit të kaluar, për të financuar kostot shëndetësore dhe ekonomike të pandemisë, si dhe për të plotësuar nevojat e programit të rindërtimit. Kështu, borxhi u fiksua në nivelin e 77.8% të PBB-së në fund të 2020-s, një kapërcim me plot 11.6 pikë përqindje krahasuar me 2019-n.  Në këtë mënyrë ka marrë fund edhe periudha e konsolidimit fiskal, thënë ndryshe uljes së këtij treguesi.

Prej nisjes së pandemisë, qeveria ka shfrytëzuar menjëherë të gjithë instrumentet, për të siguruar fondet e nevojshme. Së pari, përmes mekanizmit të financimit të shpejtë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke tërhequr rreth 170 milionë euro.

Po ashtu, është shfrytëzuar një mekanizëm i ngjashëm ndihme nga Bashkimi Europian, për një shumë kësaj radhe edhe më të madhe prej 180 milionë eurosh. Si dhe një kredi për mbështetje teknike direkte për spitalet dhe pajisjet në vlerën e 15 milionë eurosh nga IBRD e Bankës Botërore.
Por huaja e re më e madhe, krahas tregut të brendshëm, ka ardhur sigurisht nga instrumenti i Eurobondit, me të cilin dolëm në tregje për të kërkuar 650 milionë euro. Pra në total, 1 miliard e 15 milionë euro huamarrje e re nga jashtë.

Në krahasimin me rajonin, Shqipëria është dukshëm një ndër vendet me nivelin më të lartë të borxhit. Dhe jemi kapërcyer vetëm së fundmi nga Mali i Zi, për shkak të nevojave të mëdha si një nga vendet më të goditura në botë ekonomisht nga pandemia. Por krahasimi që duhet të bëjmë këtu është se sa nga ky borxh ka shkuar si mbështetje direkte për qytetarët e bizneset.

Nga borxhi i ri, pjesa më e madhe duket se ka shkuar si mbështetje për buxhetin, teksa një pjesë e vogël janë shfrytëzuar realisht për paketat e ndihmës, blerjen e pajisjeve të nevojshme në shëndetësi; apo edhe për programin e rindërtimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos