Me buzëqeshjen e stampuar gjatë gjithë kohës në fytyrë, stilin e qetë dhe vrapimin e lehtë, Usain Bolt të jepte përshtypjen sikur po vraponte në park dhe jo si njeriu më i shpejtë në botë, që zbriste në pistë për të thyer rekord pas rekordi.
Në historinë e sportit, kanë qenë të paktë atletët që i kanë dominuar disiplinat ku garonin. Pakkush e ka luksin që në mes të garës të dhurojë buzëqeshje për kamerat. Megjithatë, “vetëtima” nuk ishte si yjet e tjerë të garave të shpejtësisë. Në gjysmëfinalet e Olimpiadës Rio 2016, imazhi i momentit kur arriti finishin e gjysmëfinaleve, u bë viral në mbarë botën.

Sprinteri nga Xhamajka trensmetonte entuziazëm dhe kënaqësi, sa herë që zbriste në pistat evrapimit. Lista e sukseseve të Usain Bolt në sport, është po aq e gjatë sa hapat e tij. Tetë medalje olimpike të fituara, si edhe rekordi si atleti i parë në histori që fitonte medalje ari tre herë me radhë në Olimpiadën garat e 100 dhe 200 metrave. 11 tituj botërorë, rekorde të panumërta në disiplinat e 100 dhe 200 metrave, si edhe në stafetën 4x100 metra. Primate që askush nuk i është afruar. Tashmë, në moshën 34-vjeçare dhe pasi i ka dhënë lamtumirën atletikës prej vitit 2017, Bolt foli për karrierën e jashtëzakonshme. Mes arritjeve të pabesueshme, pa hezituar, xhamajkani përzgjedh ato që vlerëson më tepër.
“Nuk kam dyshime që janë medaljet e arta në Olimpiada. Besoj se ato përcaktuan autoritetin tim në sport. Përgjatë viteve konfirmova dominimin tim në atletikë. Ndihem krenar që jam njeriu më i shpejtë në botë, por duhet më tepër punë që të fitosh tre medalje të arta me radhë në garat e 100 dhe 200 metrave të Lojërave Olimpike. Kjo është arsyeja përse ndihem krenar për arritjet e mia”.
Debati i këtyre ditëve rreth rekordeve në garat e shpejtësisë, lidhet me diskutimet rreth faktit sa i madh mund të jetë roli i teknologjisë së atleteve të vrapimit. Bolt nuk është i shqetësuar nëse teknologjia do të ndihmojë brezat e rinj për thyerjen e primateve, por që kjo të ndodhë thjesht prej forcës fizike.

“Nuk shqetësohem për rekordet. Edhe pse kam treguar se jam njeriu më i shpejtë në botë, kjo është arsyeja përse ndihem krenar për medaljet olimpike. Ato kanë më tepër vlerë. Në një moment të caktuar, njerëzit të etiketojnë si ish-kampion ose ish-rekordmen. Por, askush nuk mund të mburret duke thënë se ka fituar tre medalje të arta me radhë në dy disiplina të ndryshme. Kjo ishte arsyeja përse gjithmonë punoja fort për të dominuar, sepse e kam të qartë që një ditë, dikush mund ta thyejë rekordin për të cilin punove aq shumë. Pas kësaj, nuk të mbetet më asgjë”.
Edhe pse ka fituar një numër të madh medaljesh dhe ka thyer rekorde të një pas njëshme, Usain Bolt nuk ka hequr kurrë dorë nga dashuria e tij për ushqimin e shpejt. Një dietë ushqimore e pazakontë për një kampion të kalibrit botëror.
Në autobiografinë e tij të vitit 2013 me titullin, “Më i shpejtë se Vetëtima”, Bolt zbuloi se gjatë qëndrimit 10-ditor në Pekin, për Olimpiadën e vitit 2008, ka konsumuar rreth 1,000 kroketa pule. Në mënyrë të pabesueshme, ato 5,000 kalori dhe 300 gramë yndyrë në ditë, ishin karburanti që i dha forcë për të fituar tre medalje të arta dhe të vendoste tre rekorde bote. Rreth së njëjtës periudhë, Bolt vendosi një bast me trajnerin Glen Mills dhe menaxherin Ricky Sims, të cilët ishin të shqetësuar se konsumi i ushqimeve të cilësuara jo të shëndetshme, bënte që sportisti të rrezikonte të shtonte peshën në mënyrë alarmante, në harkun e dy vjetëve nga tërheqja nga garat. Ish-kampioni fitoi, sepse në mënyrë të pabesueshme, Bolt e ka ruajtur fizikun atletik edhe kur kanë kaluar afro katër vjet nga shkëputja nga sporti.
“Ende nuk ma kanë paguar borxhin. Edhe pse basti ishte për periudhë 2-vjeçare, tentuan që të argumentonin se e kishin fjalët për tre vjet. I kam ngacmuar shpesh për këtë pjesë. Në fund u thashë që mund ta harrojnë bastin, sepse jam ende në formë të mirë dhe ata nuk janë të lumtur që humbën”.
Ashtu si ndodh me njerëzit normalë, edhe kampionët janë të rrezikuar nga kënaqësitë e ushqimit të pashëndetshëm. Sekreti është që ushqimet me yndyrë të konsumohen në mënyrë të kontrolluar, mbi të gjitha kur nuk stërvitesh për orë me radhë.
“Edhe nëse nuk je më sportist, e ke të qartë se ushtrimet janë tejet të rëndësishme. Edhe ecja e thjeshtë të bën mirë për shëndetin. Me kalimin e viteve kam mësuar shumë rreth mënyrës së ushqimit dhe peshës dhe e kam të qartë sa kilometër ecje duhet të bëj, që të jem i shëndetshëm. Kam krijuar familje dhe dëshiroj të kaloj sa më tepër kohë me ata”.
Gjatë këtyre katër vjetëve, jeta e Usain Bolt ka ndryshuar tërësisht. Në maj të vitit 2020, ai u bë baba për herë të parë. Në mënyrë ikonike, vajza e lindur nga partnerja Kasi Bennett quhet Olympia Lightning Bolt. Legjenda e atletikës e kalon pjesën më të madhe të ditëve me Olympia-ndhe Kasi-n, ndërsa gjen edhe kohë të ushtrohet, për të ruajtur formën fizike. Gjithashtu Bolt ka qenë mjaft i angazhuar me punët pas mbylljes së karrierës, duke përfshirë edhe fushatat me sponsorët e rinj. Ylli i garave të shpejtësisë dhe ish-futbollistja Abby Wambach janë imazhi i fushatës së marketingut nga Gatorade. Reklama përkujton parullën legjendare “Gjithçka që ti bën, unë mund ta bëj më mirë”. Fushata e mëparshme kishte si imazhe Michael Jordan dhed Mia Hamm. Teksa shumë atletë vuajnë të ambientohen me jetën e re larg adrenalinës së garave, Bolt është tejet i lumtur me këtë fazë të re që po përjeton.
Tokio 2020, e cila prej pandemisë u shty për vitin 2021, përbën një ndjesi të re edhe për “Birin e Erës”. Ajo në Japoni do të jetë Olimpiada e parë në të cilën Bolt nuk do të marrë pjesë, prej Lojërave të vitit 2000 në Sidnej. Gjithsesi, legjenda e atletikës nuk ka asnjë peng apo dëshirë të fshehur për t’u rikthyer në pistën e vrapimit.
“Jam absolutishti kënaqur thjesht me faktin që do të jem në tribuna. Kjo do të jetë hera e parëku më jepet mundësia, që thjesht ti shoh Lojërat Olimpike. Mund të ndjek garate notit, të futbollit apo të gjitha eventet e tjera. Jam i emocionuar që më nëfund mund ta shijoj Olimpiadën si një tifoz i vërtetë”.

Prej tërheqjes së Usain Bolt, atletika po kërkon brezin e ri të kampionëve. Një brez të ri atletësh që do të shërbejnë si shembull dhe do të jenë idhujt e të rinjve. Fatkeqësisht, siç ka ndodhur edhe me sportet e tjera, pandemia e koronavirus bëri që atletika të humbiste të gjithë sezonin. Me rikthimin e ngadaltë në vitin 2021, sprintieri xhamajkan beson se sportistëve duhet t’u jepet pak kohë të garojnë dhe të arrijnë formën pas ndalesës së gjatë, përpara se të pretendohet që të bëhen liderët e disiplinave ku konkurrojnë.
“Normalisht do të thoja se cili atlet mund të ishte e ardhmja e atletikës. Por, tani preferoj të pres. Mbi të gjitha pas pandemisë. Shumë sportistë kanë qëndruar një vit pa gara dhe nuk kishin mundësi të zbrisnin qoftë edhe një herë në pistë. Nuk na mbetet veçse të presim dhe të shohim. Ecuria dhe rezultatet do të tregojnë seriozitetin e secilit dhe diferenca do të vijë nga ata që punuan dhe qëndruan në formë edhe gjatë pandemisë”. (A2 Televizion)