“140 deputetët që votuan Reformën në Drejtësi i kanë bërë gropën vetes”

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2025, 21:43 | Politikë

Deputeti i PD Arjan Ndoja ka bërë një analizë mbi reformën në drejtësi në emisionin Off the Record në A2 CNN me gazetarin Andrea Danglli, ku u shpreh se reforma që dikur u miratua me 140 vota unanime, sot po kthehet në bumerang për vetë klasën politike shqiptare.

“Të majtë e të djathtë, 140 deputetët e asaj kohe i kanë bërë gropën vetes. Disa prej tyre madje e kanë ndjerë tashmë këtë në burg,” deklaroi Ndoja, duke shtuar se kjo reformë nuk është realizuar për të rritur efikasitetin e drejtësisë, por për të vendosur kontroll politik mbi institucionet.

Deputeti theksoi se SPAK ka vetëm 1.39% të çështjeve penale në vend, ndërsa pjesa tjetër e sistemit të drejtësisë merret me mbi 98% të volumeve gjyqësore. Sipas tij, kjo tregon se pavarësia e institucioneve nuk është forcuar, por përkundrazi ka pësuar rënie të dukshme, shkruan A2 CNN.

“Nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë me raportin 9 me 6 nga trupa gjyqësore, sot kemi kaluar në 6 me 5, ndërkohë që kryetari duhet të jetë jashtë trupës gjyqësore. Ai kryetar ka rol kyç, sepse mund të shtyjë, prishë ose bllokojë mbledhje, duke ndikuar direkt në proceset gjyqësore”, argumentoi Ndoja.

Ai solli në vëmendje edhe ndryshimin e rregullores së Kuvendit që krijoi komisionin për nismat qytetare dhe kontrollin postlegjislativ, i drejtuar nga Fatmir Xhafaj, të cilin e cilësoi si “një nga baballarët e reformës në drejtësi”.

“Si ka mundësi që pas 10 vitesh nga miratimi, ata që e projektuan reformën po e kontrollojnë sërish? Kjo tregon dështimin e saj si projekt i pavarësisë së drejtësisë”, përfundoi Ndoja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos