Kush ishte serbi që rrëmbeu xhandarmëria? Vuçiçi e akuzoi si spiun të Kurtit, zbuloi bazat serbe në kufi me Kosovën

Nga Xhevahir Qardaku
4 Nëntor 2025, 22:25 | Kronikë

Ky është Milan Vukashinoviç, serb i Kosovës që u plagos dhe rrëmbye nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës.

Mediat e Beogradit, që nuk kontrollohen nga pushteti, raportojnë se gjendet në spitalin e Nishit dhe po lufton për jetën. Nova shkruan se portalet dhe televizionet pro regjimit e shënjestruar vitin e kaluar si një spiun të kryeministrit Albin Kurti, ndërsa pretendonin se hodhi në erë makinën e tij me qëllim që të dëmtonte Listën Serbe.

Avokati Ivan Niniç shkruan në rrjetin social X se Vukashinoviç u qëllua me disa të shtëna pas shpine nga persona të veshur me uniforma ushtarake, por pa asnjë shenjë dalluese, në xhipa pa targa, ndërsa ngre gjithashtu pyetjen nëse dikush tjetër përveç anëtarëve të Forcave të Armatosura Serbe mori pjesë në provokimin e rëndë, shkruan A2 CNN.

Ngjarja është pak a shumë e ngjashme me rastin e politikanit Oliver Ivanoviç që u vra në veri të Kosovës. Nova sjell në vëmendje atë që disa media pro regjimit të Vuçiç shkruanin qershorin e vitit të kaluar: “Për një grusht eurosh, Dragan Aksentijeviç dhe bashkëpunëtorët e tij, përfshirë Milan Vukashinoviç, spiunuan bazat ushtarake dhe policore serbe pranë vijës administrative”.

Më tej media opozitare shton se Vukashinoviç ishte në listën e zezë të pushtetit serb pasi kundërshtonte qasjen kriminale të Listës Serbe dhe pohonte publikishte se në veri të Kosovës ka marrë fund sundimi i bandave duke sunduar vetëm ligji. Për këtë deklaratë, Lista Serbe përmes eksponentëve të saj, i vendosi një bombë nën makinë, të cilën fatmirësisht e kishte detonuar policia e Kosovës.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos