
Një ndryshim historik e konsideron Jeta Xharra denoncimin e viktimave të abuzimit seksual, krahasuar me të kaluarën. E ftuar në "Ditari" në A2 CNN, ajo tha se ka qenë shumë e vështirë dhe është dashur një dekadë për të bindur viktimat e ngacmimeve seksuale për të denoncuar abuzuesit.
“Është dashur një dekadë për t’i bindur shumë kallëzuese për të folur dhe denoncuar në polici. Ka qenë shumë vështirë. Kjo që po ndodh në dy javët e fundit është ndërrim historik në krahasim më atë që kam parë në përvojën time të viteve të kaluara”.
Ajo solli në vëmendje rastin e një denoncueseje në Kosovë, ku avancimi akademik i një gruaje kushtëzohej nga marrëdhëniet seksuale të një profesori, i cili pavarësisht denoncimit në polici nuk u ndëshkua dhe as u penalizua. Xharra theksoi se ky model ishte dëshpërues për femrat në Kosovë, por është surprizuese se si ka ndryshuar atmosfera me 3 vite më parë.
“Para 3 viteve patëm një rast që denoncuesja ishte akademike në universitetin e Prishtinës që kishte kushtëzuar avancimin akademik me marrëdhëniet seksuale. Ajo e kishte raportuar edhe në polici, por ajo që ndodhi ishte dëshpëruese, pati përkrahjen e dekanes së fakultetit. Ndodhën protesta, por asgjë nuk ndikoi që ky profesor të ndëshkohej e penalizohej në ndonjë formë. Shembulli i profesorit ishte model dëshpërues për femrat në Kosovë. Është surprizuese si ndërron atmosfera”.
Që të mos përsëriten raste të tilla, ajo u bëri thirrje grave dhe vajzave që të denoncojnë me zë dhe figurë ngacmimet seksuale për t’i turpëruar para familjes dhe kolegëve.
“Ajo çka na ndodhi ne kur e raportuam atë vajzë, ky profesor u ndje i fuqishëm dhe na çoi në gjyq, loboi dhe u krijua një rrjet i tillë që e mbrojtën profesorin me sukses. Ai loboi institucionet në drejtim të vetin dhe me shpresë se ne do të frikësohemi. Ne vazhduam t’i përkrahim viktimat dhe sot kërkoj që kur të ndodhë ngacmimi, nxirrni kamerën, t’i provojmë ngacmuesit dhe ta mundim sistemin duke i turpëruar para familjes së kolegëve të tyre. Në këtë formë arrijmë t'i frikësojmë ngacmuesit e ardhshëm, por duhet të dinë gratë dhe burrat se çfarë është ngacmim”.
Protestat në Shqipëri dhe Kosovë kundër abuzimit seksual, Xharra i sheh si fillimin e edukimit të ngacmimit seksual, i cili është një vepër penale. Një mesazh ajo e dha edhe për të gjithë ata burra që mendojnë se femra ka dashur vetë të ngacmohet.
“Gjithë debati u iniciua prej një videoje në rrjetet sociale, u ngrit vetëdija mes nxënësve dhe jo autoriteteve, se autoritetet nuk i kanë penalizuar kurrë, por i kanë mbrojtur. Me këtë fushatë në Kosovë e Shqipëri është qeliza e fillimit të edukimit të ngacmimit seksual. Shumë janë të shokuar me përcaktimin e ngacmimit seksual. Ka një vëmendje shumë të madhe në botën mashkullore, ideja është të mbajmë presionin dhe të mos e heqim vëmendjen dhe të mos injorojmë vëmendjen, ne duhet të jemi udhëheqëse të medias, që do vazhdojmë të përkrahim viktimat. Ngacmimi seksual është vepër penale, por shkruhet që nuk duhet nxjerrë emri i ngacmuesit deri sa nuk ka vendim për të. Nëse doni të bëheni ligjorë, ndoshta s’ka pasur të drejtë të nxjerrë fytyrën e të miturit, por shoqëria ka nevojë pasi nëse nuk do të kishte dalë ajo video, nuk do të kishte protestë. Ka një elitë që nuk i beson gruas, se ajo e ka dashur vetë nga mënyra se si është veshur. Në të gjithë botën ka filluar një lëvizje që po piqet edhe në Kosovë e Shqipëri, dhe do ta paguajë shtrenjtë ai që do të ngacmojë një grua në të ardhmen. Shumica nuk do ta mbrojë ngacmuesin. Burrat nuk duhet të supozojnë që çdo fjalë e tyre është e padëmshme dhe të supozojnë se ngacmimin femra e do, pse është vesh. Disa po thonë se pa i ngacmuar nuk martohen. Nuk jetojmë në male që gruaja duhet grabitur për t’u martuar. Nëse nuk kuptoni ndryshe inkurajoj çdo grua dhe vajzë që kushdo që e ngacmon ta denoncojë në kallxo.com”. (A2 Televizion)