
Joe Biden është më pranë presidencës amerikane sesa Donald Trump, kur kanë mbetur dhe pak fletëvotimi për t’u numëruar.
Megjithatë, është ende herët për të folur për fitues, pasi rezultati është tepër i ngushtë. Kandidati demokrat kryeson në 4 nga 5 shtetet e rëndësishme të mbetura, në Xhorxha, Pensilvani, Nevada dhe Arizona. Trump ka shpresë për kthim të rezultatit në Xhorxha, pasi autoritetet pohuan se do të ketë rinumërim të votave për shkak të diferencës së ngushtë.
Brad Raffensperger, Sekretari i Shtetit në Xhorxha, tha: “Me një diferencë kaq të vogël, do të ketë një rinumërim në Xhorxha. Interesi për zgjedhjet tona padyshim që shkon përtej kufijve të Xhorxhas. Rezultati përfundimtar në Xhorxha në këtë pikë ka implikime të mëdha për të gjithë vendin”.
Biden ka të konfirmuara paraprakisht 253 vota elektorale nga 270 që i duhen për t’u shpallur fitues. Me këtë situate, i mjafton vetëm shteti i Pensilvanisë, që ka 20 zgjedhës të mëdhenj, për të mposhtur presidentin në detyrë.
Kandidati demokrat shprehet i sigurtë në fitore dhe po përgatitet që ta shpallë atë. CNN raporton se aviacioni amerikan ka mbyllur hapësirën ajrore përreth banesës së Biden në Uillmington të Delauer. Gjithashtu, janë pezulluar përkohësisht fluturimet mbi qendrën “Chase”, ku parashikohet që 78-vjeçari të mbajë fjalimin e fitores.
Nga ana tjetër, Trump pretendon se akoma nuk ka përfunduar gjithçka. Ekipi i fushatës së tij thotë se Presidenti do të rizgjidhet pasi rezultatet në shtetet e mbetura nuk janë përfundimtare. Një koment për procesin zgjedhor pati edhe vetë Trump, i cili me anë të Twitter-it mbështeti tezën që Gjykata e Lartë ka shkelur Kushtetutën duke lejuar numërimin e votave të mbërritura pas ditës së zgjedhjeve.
Ai la tëkuptohet se shpreson që ato të konsiderohen të pavlefshme nga Gjykata Supreme. Gjatë këtyre ditëve, presidenti në detyrë ka lëshuar vazhdimisht akuza për vjedhje të votave. Kjo ka shtuar zemërimin mes mbështetësve të tij, të cilët kanë shtuar numrin e protestave në Shtetet e Bashkuara. (A2 Televizion)