
"Është punë e secilit në Parlament" që të realizojë Brexit-in, tha kryeministri britanik Boris Johnson në fund të samitit të G7-s që u mbajt në Francë.
Boris Johnson shtoi se është më optimist mbi një marrëveshje të re për Brexit-in me Bashkimin Evropian, por nuk komentoi mbi faktin nëse do të pezullojë Parlamentin për të ndaluar një dalje nga BE-ja pa marrëveshje.
Komentet e Johnsonit vijnë në kohën kur disa deputetë të Parlamentit britanik pritet të takohen për të diskutuar mënyrat për të shmangur Brexit-in pa marrëveshje, më 31 tetor.
Johnson po ashtu tha se edhe udhëheqësit e BE-së duan që Brexit-i "të kryhet". Ai ka këmbëngulur vazhdimisht se Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga BE-ja më 31 tetor, me ose pa marrëveshje.
Britania ka vendosur të dalë nga BE-ja përmes një referendumi në vitin 2016, por institucionet financiare e kanë paralajmëruar atë për pasoja të rënda ekonomike nëse Brexit-i bëhet pa marrëveshje me BE-në. (A2 Televizion)