Meta kundër primareve të PD: S’ka kohë të vonohemi, duhen kandidatë të përbashkët për vendoret

Nga A2 CNN
27 Shtator 2022, 15:31 | Politikë
Meta kundër primareve të PD: S’ka kohë të vonohemi,

Primaret e demokratëve duket se nuk i shkojnë për shtat Partisë së Lirisë. Ilir Meta kërkoi që në zgjedhje të dilet me kandidatë të përbashkët duke nënvizuar se opozitës nuk i lejohet të jetë e përçarë përballë socialistëve.

Ilir Meta kërkon nga Sali Berisha një marrëveshje parazgjedhore për të dalë me kandidatë të përbashkët në vendoret 2023. Këtë, Meta e argumentoi duke nënvizuar se përballë opozitës është një mazhorancë që kontrollon të gjitha pushtetet në vend.

“Po, opozita duhet të dalë në të gjithë Shqipërinë me kandidat të përbashkët, kjo është me e mira për situatën, për arsye se jemi në kushtet enjë shteti mafioz dhe në kushtet e një shteti mafioz, opozita duhet të paraqitet e bashkuar”, tha Meta.

Kërkesa e Metës u bë një ditë pasi Partia Demokratike bëri publike rregullat për të përzgjedhur kandidatët përmes procesit të primareve. Mesazhi i kryetarit të Partisë së Lirisë ishte edhe më i qartë sa i takon këtij procesi të cilin duket se e sheh si vonesë, një luks që thotë se opozita nuk mund ta përballojë.

“Jemi në kushtet kur opozitës nuk i lejohet as të vonohet, as të moskoordinohet, as të mos bashkohet për këtë qëllim të përbashkët në interes të të gjithë qytetarëve shqiptar”, u shpreh Meta. Në konferencën për shtyp, Meta u kujdes të nënvizonte se forcat politike të opozitës mund të tregojnë peshën specifike me listat e këshilltarëve bashkiakë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos