“Ju jeni pjesë e jona”, Scholz: BE-ja të mbajë premtimin për anëtarësimin e Ballkanit

Nga A2 CNN
9 Maj 2023, 13:22 | Bota
“Ju jeni pjesë e jona”, Scholz: BE-ja të mbajë

Bashkimi Europian duhet t’i përmbushë premtimet 20-vjeçare për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor. Ishte ky një ndër mesazhet e lëshuara nga kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, në ditën e Europës. Duke folur nga Parlamenti Europian për të ardhmen e unionit dhe kontinentit, shefi i qeverisë së Berlinit vuri në pah rreziqet që vijnë nga kërcënimi rus.

“Ne kemi vendosur të shkojmë për një Europë më të madhe. Ne u kemi thënë qytetarëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës, Moldavisë dhe potencialisht edhe Gjeorgjisë: ju jeni pjesë e jona. Ne dëshirojmë që ju të bëheni pjesë e Bashkimit Europian, dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me altruizmin, kjo ka të bëjë me besueshmërinë dhe sensin tonë të mirë ekonomik. Gjithashtu, ka të bëjë me sigurimin e paqes në Europë, pas momentit vendimtar që ishte sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës. Një Europë gjeopolitike duhet të mbajë premtimet e saj ndaj fqinjëve të saj”, tha Scholz.

Më tej, përmendi nevojën për vazhdimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. “Procesi i normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe reformat në vendet anëtare duhet të vazhdojnë. Natyrisht, përparimi më i shpejtë drejt anëtarësimit duhet të ndjekë edhe guximin e Maqedonisë së Veriut. Këta hapa përpara duhet të vlerësohen dhe nderohen nga ana jonë, pasi në të kundërt politika jonë e zgjerimit dhe BE-ja humbet ndikimin”.

Ndërkohë, në Parlamentin Europian po diskutohen dy rezoluta për Kosovën dhe Serbinë lidhur me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Gjithashtu, do të shprehet mbështetje për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE. Ndërsa Serbinë e pret një valë kritike dhe presioni për të njehsuar politikën e jashtme me atë të unionit, përfshirë sanksionimin e Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/03/07/dialogu-kosove-serbi-scholz-plani-franko-gjerman-i-peshuar-procesi-do-te-perfundoje-me-sukses/
https://a2news.com/2023/03/07/samiti-i-procesit-te-berlinit-me-16-tetor-ne-tirane-scholz-anetaresimi-i-ballkanit-perendimor-ne-be-ka-rendesi-strategjike-per-qeverine-time/

A2 CNN Livestream

Latest Videos