
Juristi Elis Bilali, i ftuar në Absolut 4 në ditën e drejtësisë, komentoi reformën në gjyqësor. Ai u shpreh se reforma e thellë është e gabuar, pasi sipas tij, sistemi i krijuar ka shumë problematika. Juristi parashikon që mbyllja e reformës mund të zgjasë edhe 10 vite.
“Jam kundër reformimeve të thella, por pro përmirësimeve të sistemeve. Në fillim duhet të bëhej një analizë e hollësishme në lidhje me mundësitë reformuese. Korrupsioni është një fenomen në shoqërinë shqiptare dhe është një fenomen që do të luftohet me ndërgjegjësimin e shoqërisë, nuk është një fenomen që mund të luftohet sot për nesër. Korrupsioni e ka shoqëruar shoqërinë shqiptare edhe në komunizëm. Lufta ndaj korrupsionit mund të bëhej edhe në forma të tjera.
Unë besoj se sistemi gjyqësor kishte krijuar një pavarësi para nisjes së reformës. Para reformës në drejtësi ndjehej një pavarësi ndaj politikës, sigurisht që korrupsioni ishte fenomen, por ekzistonin mundësitë që të evidentoheshin këtë gjyqtarë që ndikonin edhe në imazhin e gjyqësorit.
Ka 5 vite që ka nisur reforma në drejtësi dhe për mua do të duhen edhe 10 vite për ta përfunduar. Sistemi që është krijuar sot është shumë problematik. Ne jemi akoma në një fazë tranzicioni dhe pjesa më e madhe e qytetarëve janë në procese gjyqësore. Minimalisht duhet të ishin plotësuar vakancat në gjyqësor. (A2 Televizion)