
Mario Balotelli dle nga një eksperiencë vërtetë negative me ekipin e qytetit ku është rritur, Brescia. I pritur si hero, sulmuesi tashmë 29 vjeçar në vend që të ishte në kulmin e karrierës së tij, nga performancat e fundit duket sikur është gati për të varur këpucët në gozhdë.
Por pas Interit, Manchester City, Milanit dhe Liverpulit, një tjetër gjigant i futbollit duket sikur ka vënë bast mbi të, për ta rikthyer në “Supermarion“ e disa viteve më parë, kur ishte shpresa më e madhe e futbollit italian.
Por për të bërë këtë, Mario duhet të ndryshojë kontinent, sepse ekipi i interesuar është pikërisht Boca Juniors. Miti i futbollit argjentinas po shikon gjithmonë e më shumë për emra të njohur të Serie A, edhe pas eksperiencës jo shumë të mirë me Daniele De Rossi, dhe i ka bërë ofertë konkrete Balotellit.
Në ndryshim me ish-kapitenin e Romës, Balotelli do të luante në stadiumin “Bonbonera” ende në një moshë të re, dhe ndoshta do të mjaftonin vetëm stimuj të ri për ta rikthyer idhull të tifozëve. (A2 Televizion)