
Juventusi mbetet në kërkim të një sulmuesi, i cili do të shërbente në rolin e zëvendësit të Vlahovic. Pas pengesave për rikthimin e Alvaro Moratës në Allianz Stadium, bardhezinjtë kanë nisur ofensivën për një emër të njohur të Serisë A.
Në listën e dëshirave të Juventusit është Dries Mertens, belgu që mbylli aventurën te Napoli si rekordmen për gola të shënuar. Interes për 35-vjeçarin kanë shfaqur edhe Lazio e Interi, por mësymja e “Zonjës së Vjetër” ka ndryshuar situatën.
Edhe pse zyrtarisht do të afrohej si zëvendësues në sulm, bardhezinjtë janë gati ta trajtojnë si një prej lojtarëve kryesorë në skuadër. Në tryezë është gati oferta për kontratë me pagë 5 milionë euro, një shifër e cila vështirë të barazohet nga skuadrat e tjera në garë.
Për më tepër, Mertens do të kishte mundësinë që të luante në Champions dhe për shkak të angazhimeve të shumta dhe sezonit të ngjeshur, hapësirat do të ishin të konsiderueshme.
Alternativa të tjera që po studiohen nga Juventusi janë edhe Muriel, Martial e Arnautovic, teksa Timo Werner duket një hipotezë më e vështirë të realizohet.
Mertens është kandidati kryesor dhe lojtari po e studion me kujdes ofertën. Edhe pse te Napoli besojnë se lidhja e fortë e belgut me ambientin nuk do ta lejonte të transferohej te Juventusi, historia ka konfirmuar shumë raste të kalimit te rivalët e betuar. Propozimi është nga ata që vështirë se mund të refuzohet, për moshën e lojtarit, pagën dhe mundësitë që i ofrohen. (A2 Televizion)