
Daley Blind tha se e mendoi seriozisht të mos luante për Holandën të dielën në mbrëmje në ndeshjen e parë të Euro 2020, pasi pa rrëzimin dramatik të Christian Eriksen në fushë, për shkak të një arresti kardiak.
Ish-lojtari i Manchester United pranoi se iu desh të përballej me makthet e së kaluarës, pasi edhe vetë ka pasur probleme me zemrën.
“Përveç faktit që e njoh dhe e kam mik Christian-in, e kam përjetuar edhe vetë diçka të ngjashme, kështu që duhet të kapërceja këtë pengesë për të zbritur në fushë”, tha Blind për televizionin holandez “NOS”. “E mendova të mos luaja fare, por jam krenar për veprimin tim. Pamjet dramatike patën shumë ndikim dhe nuk fjeta mirë”. (A2 Televizion)