
Analisti Ilir Kalemaj, në studion e “Absolut 4”, u shpreh se “ndëshkimet e reja të parashikuara në Kodin e ri Penal mund të çojnë në një lloj stepjeje” sa i përket krimeve zgjedhore.
Por, Kalemaj shtoi se “zgjedhjet në Shqipëri nuk vidhen në kutitë e votimit”.
“Zgjedhjet shiten dhe blihen para se të shkojmë në zgjedhje. Ndëshkueshmëria për shitblerjen e votës, që është më e vështirë për t’u përdorur si provë kriminale në gjyq, është thembra e Akilit”, deklaroi Kalemaj.
Gazetari i A2, Armand Bajrami nënvizoi se “duhet të nisë që tani puna e SPAK-ut dhe Prokurorisë, por mendoj se do të ketë një sofistikim të mënyrës së shitblerjes së votes”.
“Pasi u ekspozuan paligjshmëritë në përgjime telefonike, do të ndryshojnë bisedat. Personat e angazhuar në pazare për votën do të jenë më të kujdesshëm. Mendoj se policia duhet të angazhohet që tani për t’i paraprirë skemave të shitblerjes së votës”, tha Bajrami. (A2 Televizion)