Fëmijë rusë të të gjitha moshave rrëmbyen armët për të treguar talentin e tyre në montimin dhe çmontimin e tyre, në një garë në qytetin lindor Khabarovsk.
Gjashtëvjeçarja Daryana Tarasova arriti të vendoste të gjitha pjesët në vendin e duhur, duke formuar një Kallashnikov të plotë, gati për të gjuajtur. Edhe pse kaq e vogël, mamaja e saj tha se i është bashkuar njësisë “Ynarmia” – Lëvizjes së Kadetëve të Rinj të Ushtrisë Ruse. “Ne nuk mësojmë vjersha, por rregullat ushtarake”, tha mamaja e vogëlushes, Yekaterina Schukina, për Reuters.
Rreth 240 fëmijë, të gjithë më të mëdhenj se Dayana, garuan për të vendosur cili prej tyre do ta montojë më shpejt armën e fuqishme, që është një krenari kombëtare për rusët. Fituesi i garës, një 16-vjeçar i quajtur Igor Sokolov, stërvitet prej gjashtë vitesh në montimin e armëve. Ai tha se praktika e vazhdueshme është edhe sekreti i suksesit. Ai e montoi armën për 16,76 sekonda.
Anastasia Dotsenko plagosi edhe dorën ndërsa po montonte kallashnikovin e saj, megjithatë u rendit e dyta. Kallashnikovi, në dy versionet e veta, AK-47 dhe AK-74, mbetet ende një prej armëve më të përdorura nga ushtria ruse dhe ato të shteteve që dikur kanë qenë pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik. (A2 Televizion)