
Kina instalon kamera survejimi para dyerve të personave të vendosur në karantinë. Qytetarët deklarojnë se nga ana e qeverisë nuk ka asnjë komunikim zyrtar për këtë masë kontrolli që sipas tyre shkel privatësinë, dhe nuk është as e ligjshme.
Një mëngjes kur Ian Lahiffe po kthehej në shtëpi, gjeti para derës së banesës punonjës që po instalonin kamera survejimi. Pas një udhëtimi në jug të Kinës, 34-vjeçari dhe familja e tij duhet të vetizoloheshin për 14 ditë, masë e detyrueshme e qeverisë kineze për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.
”Të kesh një kamera te dera e shtëpisë më duket shkelje e privatësisë, vjedhje e të dhënave të mia, nuk e di se sa e ligjshme është një gjë e tillë” tha Lahiffe.
Vendi komunist nuk ka bërë një njoftim zyrtar për instalimin e kamerave të survejimit pranë vendbanimeve të personave në karantinë, por një gjë e tillë po zbatohet në shumë qytete kineze të paktën që nga muaji shkurt, raportojnë qytetarët të cilët janë përballur me një situatë të tillë.
Sipas informacioneve, në Kinë, deri në vitin 2018 kanë qenë të instaluara 349 milionë kamera survejimi, shifër 5 herë më e lartë se në Shtetet e Bashkuara, ndërsa deri në vitin 2021 kjo shifër pritet të jetë 6 herë më e lartë.
Kina aktualisht ka në përdorim një sistem kontrolli shëndetësor për të kontrolluar lëvizjet e qytetarëve dhe për të vendosur se kush do të qëndrojë në karantinë, por shpeshherë autoritetet lokale, përdorin kamerat e survejimit për të forcuar kontrollin mbi izolimin e qytetarëve. (A2 Televizion)