
Mes Vlorës dhe Durrësit thotë se do të mbajë mandatin që do t’i sigurojë më shumë vota. Garimi i Edi Ramës në dy qarqet lidhet me origjinën e prindërve.
“Kush do më dojë më shumë, do të më ketë prezent”, thotë ai.
Familjen e kryeministri e përmendi dhe teksa foli për rikthimin në PS të Lefter Kokës. “Ky është një kthim përfundimtar në shtëpi. Në këtë histori ndarje dhe bashkimi me LSI, ka pasur disa njerëz që kanë qenë ura dhe jo hendeqe”, u shpreh kryeministri.
Por nuk ishte aq dashamirës për një tjetër ish-socialist, për më tepër në lidhje familjare me Lefter Kokën.
“Agron Duka e ka bërë atë Partinë Agrare si ato makinat me bombë , që po nuk u fut ky në listë shkon e hedh në erë opozitën“, ishin fjalët e tij.
Krahas kandidatëve të tij për qarkun Durrës i bëri një rezyme edhe të parit të listës së kundërshtarit. Kryebashkiakut socialist të Shijakut, demokratët nuk janë kursyer në akuza, ndaj dhe kryeministri i ktheu reston përmes kandidatit të PD për këtë qytet.
Është formuar një trekëndësh këtu midis Palokës, Gon Dukës dhe një trafikanti të kapur për heroinë i dëbuar në Zvicër, që tund gishtat”, akuzoi Rama.
I kontaktuar nga A2, Rezart Tusha hodhi poshtë akuzat si përfshirë në trafik narkotikësh, por pranoi dëbimin nga shteti zviceran, të cilin tha se e ka pasqyruar në formularin e dekriminalizimit. Të tjerat janë akuza të pabaza politike, tha Tusha në përgjigje të interesimit nga A2. (A2 Televizion)