Kapet pas 5 ditësh gjueti “Rambo i Pyllit të Zi”

Nga A2 CNN
18 Korrik 2020, 20:11 | Bota

Një burrë me nofkën “Rambo i Pyllit të Zi” është arrestuar nga Policia në Gjermani pas pesë ditësh në arrati.

I dyshuari, i identifikuar si 31-vjeçari Yves Rausch, fshihej në pyll, i veshur me uniformë ushtarake, me një hark me shigjeta, pas një incidenti që kishte pasur me policinë gjermane në landin Baten-Vurtemberg. Ai ishte pikasur duke jetuar në një kabinë druri në pyll, pasi kishte humbur shtëpinë vitin e kaluar.

Pas një debati me disa efektivë, ai kishte arritur t’u hiqte armën e shërbimit disave, duke i kërcënuar gjithashtu me një armë të tijën. Autoritetet thanë se në kërkim të 31-vjeçarit u vunë disa qindra efektivë të njësive të ndryshme, ndërsa në zonë u dërguan edhe helikopterë, pranë qytezës Oppenau.

Juergen Rieger, kreu i operacionit, tha se Rausch u gjet në një shkurre me katër armë para këmbëve, mes tyre edhe një sëpatë. Sipas AFP, Policia gjermane arriti ta kapë pas një informacioni të marrë nga njerëz që e kishin parë “Rambon” në pyll.

Arrestimi i të premtes i dha fund pesë ditëve gjuetie nga ana e Policisë, që tërhoqi vëmendjen e madhe të njerëzve. Autoritetet dyshojnë se Rausch nuk ka një vendbanim të përhershëm dhe jetonte në pyll. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos