
Policia e Shtetit ka përgënjeshtruar lajmin e dalë nga disa media greke për faktin se varka me vela që është kapur dje me rreth 1 ton kanabis në Peloponezin jugor të ketë ardhur nga Shqipëria.
Sipas Policisë, forcat e rendit e të dy vendeve kanë shkëmbyer informacion mes tyre me qëllim verifikimin e personelit të varkës, që kanë rezultuar ukrainas. Sipas Policisë shqiptare, veliera “My Dream” nuk rezulton të ketë hyrje-dalje në Shqipëri.
Një keqkuptim sipas tyre mund të ketë ndodhur sepse më 15 gusht një jaht me emër të përafërt “Dream” ka kryer proceduara të rregullta hyrje-dalje dhe mjeti është kontrolluar konform rregullave nga Policia Kufitare. Jahti kishte në bord 3 shtetas turq dhe "nuk ka asnjë lidhje me velierën e sekuestruar në Greqi".
Veliera "My Dream" u sekuestrua në afërsi të qytetit Gytheion, mbante flamurin e shtetit amerikan të Delaware, dhe u zbulua gjatë një kontrolli rutinë të forcave të rendit greke, që sekuestroi rreth 50 çanta të mbushura me bimën narkotike. (A2 Televizion)