
Dosja penale 184, e cila përmban dhe përgjimet e publikuara mbi zgjedhjet vendore të vitit 2016 në qarkun e Dibrës, do të hetohet dhe gjykohet në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Dibër.
Deri në publikimin e përgjimeve nga tabloidi “Bild” askush s’do të mësonte mbi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, e cila përfshiu njerëz publik dhe politikanë të cilët nuk e mohuan faktin. Prokuroria e Krimeve të Rënda shpalli ditën e enjte vendimin për moskompetencën për hetimin e dosjes 184, duke e dërguar atë në institucionin e akuzës në Dibër.
Lajmi mësohet nga burime zyrtare pranë Prokurorisë së përgjithshme, ndërsa zyrtarisht, Krimet e Rënda nuk kanë dhënë asnjë sqarim. Por informacionet thonë se pas më shumë se një vit hetim, prokurorët kanë arritur të heqin dyshimet përkryerjen e veprës penale nga një grup i strukturuar kriminal, çka është dhe shkaku i shpalljes së moskompetencës.
Ndërkohë, në prokurorinë e rrethit gjyqësor Dibrës ende nuk është caktuar prokurori që do të marrë çështjen. Mësohet se kreu i Prokurorisë Dibër, Esmeralda Cami, është përjashtuar nga lista pasi rezulton të ketë lidhje me njërin nga personat nën hetim.
Dosja 184 përfshin hetimin e disa personave, mes tyre edhe zyrtarë shtetërorë në nivel qendror dhe lokal, si dhe ngriti dyshimet për shitblerje të votave në zgjedhjet e pjesshme për kryetar të Bashkisë Dibër në vjeshtën e vitit 2016. (A2 Televizion)