
Ministrja e Arsimit e Kosovës, Arbërie Nagavci ka dhënë detaje për fillimin e vitit të ri shkollor.
Ajo përmendi karakterin e shtetit dhe institucioneve të Kosovës, ndërsa saktësoi se nuk ka ndonjë udhëzim administrativ për lejimin ose jo të shamisë në shkolla.
“Dua të bëjë të qartë se nuk ka ndonjë udhëzim administrativ për shaminë, nuk ka pasur asnjëherë aq sa unë di. Gjithë kjo fushatë që e shihni kohën e fundit, unë mendoj që nuk është e bazuar dhe e qëndrueshme. Është e përcaktuar qartë karakteri i shtetit tonë dhe institucioneve publike. Udhëzimit administrativ të cilit iu kanë referuar ka të bëjë me mbarëvajtjen e punës në shkollat e mesme të larta.
Është e vërtetë që ky udhëzim ka disa çështje ligjore sepse preambula të cilës i referohet nuk ka të bëjë specifikisht me kompetencat e MASHTI-t, por e vërteta është që rekomandimet janë dhënë që ai udhëzim të mbetet në fuqi, ne nuk mund ta ndryshojmë një nen specifik. Udhëzimi do mbetet në fuqi dhe do shohim si e rregullojmë tutje në aspektin formal ligjor”, tha Nagavci. (A2 Televizion)