
Katër maji, data kur klubet italiane shpresojnë të rifillojnë stërvitjen, po afrohet dhe drejtuesit e futbollit po përgatiten si nga ana sportive, ashtu edhe sociale.
Do të jenë 3 hapa vendimtare këtë javë përpara vlerësimit të qeverisë. E mërkura është një ditë e rëndësishme për futbollin, pasi do të kuptohet më shumë rreth udhëzimeve që do të mbahen gjatë stërvitjeve dhe nëse përcaktimet e Komitetit Tekniko-Shkencor nuk do të ndryshojnë shumë nga ato të mjekëve sportivë.
Pra, stërvitje super të blinduara jo vetëm futbollistë dhe staf teknik dhe këtu lind problemi i parë, ndërsa në një situatë të njëjtë do të jenë edhe personeli i shërbimit si kuzhinierët, ndërmarrja e pastrimit dhe magazinierët.
Deri në këto momente, vetëm Juventusi ka një hotel, ndërsa ekipet e tjera duhet ta marrin atë me qira, ndërkohë që në kurriz të klubeve do të jenë edhe tamponet për koronavirusin, vizitat mjekësore dhe trajnime për parandalimin e infeksionit.
Gjithashtu, në të njëjtën ditë është caktuar edhe një mbledhje e UEFA-s e cila po bën përpjekje për të gjetur një zgjidhje për përfundimin e garave evropiane.
Ndërkohë, të enjten, Federata ka një takim me Ligën, lojtarët dhe gjyqtarët, ku do të raportojë takimin me Komitetin Tekniko-Shkencor dhe do të përshkruajë datat dhe metodat e mundshme për rifillimin e kampionatit.
Më pas, përfundimet e këtyre takimeve do të sillen në tryezën e qeverisë, me ministrin e Shëndetësisë dhe atë të Sportit që do të ndezin ose jo dritën jeshile për rifillimin e mundshëm të kampionateve.
Por, interesant është fakti se ekzistojnë mendime të ndryshme edhe te shkencëtarët për këtë çështje. Kështu, drejtori i Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit, Xhovani Reza, hodhi poshtë planin e parashikuar nga Federata Italiane për rifillimin e aktivitetit.
“Futbolli është një sport kontakti dhe përfshin rreziqet e transmetimit. Nëse do të jepja një mendim teknik, unë nuk do të isha në favor të rifllimit. Gjithsesi, fjalën e fundit e ka politika”, deklaroi Reza. (A2 Televizion)