Karnavaleve të Korçës nuk i mungoi këtë vit as muzika e as ngjyrat e bukura të kostumeve të përzgjedhura për paradën. Por, eventi i këtij viti nuk kishte entuziazmin e viteve të shkuara. Koronavirusi dhe kujdesi që duhet ndaj tij, kanë bërë që artistët performues të ishin më të paktë, edhe pse ky kujdes nuk dukej te të pranishmit që zgjodhën të shijojnë këtë spektakël ngjyrash.
Kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo u shpreh se organizimi u bë në këtë formë me 10 grupe që lëviznin në qytet për të shmangur grumbullimet.

“Kemi 27 grupe që marrin pjesë, disa prej tyre vijnë edhe nga vendet fqinjët”, saktëson kryetari i Bashkisë , Sotiraq Filo.
Karnavalet e Korçës, organizuar në një ditë të veçantë edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishin përfshirë edhe veshjet me karakter amerikan.
Performancat e grupeve do të vijojnë edhe në mbrëmje ndërsa ky model organizimi do të ndiqet edhe për festën e Birrës dhe atë të Lakrorit. (A2 Televizion)