4 në pranga e 12 gjoba, një ndëshkim 5 milionësh për gurë ndaj policisë e Kryeministrisë

Nga A2 CNN
8 Nëntor 2026, 13:50 | Kronikë

Katër persona janë arrestuar dhe shtatë të tjerë janë proceduar penalisht pas protestës së të shtunës në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, hedhje të sendeve të forta dhe lëndëve piroteknike, si dhe djegie të kazanëve të mbeturinave.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, të arrestuarit janë të moshave nga 19 deri në 34 vjeç, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprime te dhunshme.

Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar një sasi kanabisi, një send metalik shpues, mjete për hedhjen e gurëve dhe sferave metalike, si dhe një imitues të armës së zjarrit me 50 sfera. Përveç arrestimeve dhe procedimeve penale, policia ka vendosur edhe 12 masa administrative, në zbatim të Aktit Normativ të miratuar më 28 tetor.

Një prej gjobave, në vlerën 500 mijë lekë te reja, është vendosur ndaj një protestuesi të maskuar me kapuç, i cili, sipas policisë, ka goditur me gurë efektivët dhe godinën e Kryeministrisë, duke mos iu bindur thirrjeve për ndërprerjen e dhunës. Policia dhe Prokuroria e Tiranës vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjeve dhe identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit.

Të shtunën ishte protesta e tretë e thirrur edhe nga Partia Demokratike edhe nga studentët. Këta të fundit kanë njoftuar se në vijim nuk do të ketë protesta te përditshme, por vetëm të mërkurave dhe të shtunave. Ndërsa këtë javë që po lëmë pas nuk ka pasur bojkot në Universitete.

Aktet normative të qeverisë janë dërguar, ndërkohë në Gjykatën Kushtetuese, si nga përfaqësia e studentëve dhe organizatat e shoqërisë civile, ashtu edhe nga Partia Demokratike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos