
Nga Asambleja e Partisë Republikane, Fatmir Mediu bën thirrje për koalicion qytetar-politik, ku studentët, pedagogët dhe protestuesit, si një front i përbashkët kundër qeverisë të dalin me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet lokale.
“Ndërtimi i një koalicioni qytetar politik të thirrur nga protestuesit, studentët, pedagogët, pa asnjë përjashtim politik, si një front i qartë kundër korrupsionit, dhunës, pabarazisë dhe qeverisë së Edi Ramës dhe me një qëllim thelbësor, zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha zoti Mediu.
Kryetari i PR tha se bashkimi rreth disa kërkesave kryesore politike do t’u shërbente qëllimeve të përbashkëta të të gjitha forcave opozitare:
“E para, dorëheqjen e Edi Ramës si një zgjidhje politike e domosdoshme për të rikthyer besimin tek shoqëria shqiptare që ne mund ta ndryshojmë këtë vend. E dyta, krijimin e një qeverie të re kujdestare me një mandat të qartë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke e vendosur atë si një detyrim kushtetues përpara çdo zgjedhje parlamentare. E treta, një reformë zgjedhore, e cila garanton që parlamenti dhe deputetët të jenë të përfaqësuar sipas votës së lirë dhe garës së ndershme me lista të hapura. E katërta: Reformë territoriale e cila garanton autonominë lokale dhe qeverisjen në gjithë territorin e vendit. E pesta: Limitimin e mandatit të kryeministrit në dy mandate. E gjashta: Daljen me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet lokale të dalë nga koalicioni qytetar-politik sipas kritereve dhe procedurave të vendosura nga ky koalicion”.
Kreu i republikanëve, i cili është një nga kritikët më të hershëm të sistemit aktual zgjedhor, theksoi prioritetet që duhet të ketë komisioni parlamentar i reformës zgjedhore.
“Ne nuk mund të diskutojmë reformën zgjedhore pa zgjidhur së pari dy elementë të rëndësishëm që duhet të jenë prioriteti i kësaj reforme zgjedhore. E para, ndarja e shtetit nga krimi. E dyta, listat e hapura”, tha zoti Mediu.
Në të kundërt, tha Mediu, opozita nuk mund të bëhemi fasadë e një komisioni të reformës zgjedhore për të vazhduar agjendën e Partisë Socialiste dhe të Edi Ramës. (A2 Televizion)