
Ndonëse në moshë më të re se paraardhësit e tij, Bujar Nishani është i pari President i dalë nga një parlament pluralist që humbi jetën pas betejave shëndetësore të cilave nuk mundi t’i bënte ballë.
Karriera e ish-presidentit nis në vitin 1988, kohë të cilën ishte pedagog në Akademinë e Sigurisë, Skëndërbej. Ndryshimet demokratike të viteve ’90 i dhanë kthesën e madhe jetës së tij. Në vitin 1991 ai u anëtarësua në Partinë Demokratike dhe pas asaj kohë nisi edhe rrugëtimi politik.
Në 2005 u bë për herë të parë deputet, duke fituar ndaj atëherë-ministrit të Brendshëm socialist, Igli Toska. Suksesi përballë një prej eksponentëve të qeverisë Nano dha frytet e veta dhe në 2007 Nishani u ul në karrigen e ish-rivalit të tij në betejën e parë elektorale, duke u votëbesuar si Ministër i Brendshëm me kryeministër Sali Berishën.
Në vitin 2009, në qeverinë Berisha 2, Bujar Nishani merr drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë deri në vitin 2011 kur Parlamenti i dha sërish besimin për të drejtuar Ministrinë e Brendshme. Një vit më vonë ngjitet në detyrën më të lartë si kryetar i Shtetit, duke u bërë presidenti i pestë i republikës, zgjedhur pas rënies së diktaturës.
Presidenca Nishani ishte sa e qetë aq edhe në përballje direkte me maxhorancën socialiste e cila në vitin 2013, në mbledhjen e saj të parë vendosi t’i heqë foton nga çdo institucion shtetëror, sinjal ky se si do të ishte marrëdhënia me të për pjesën tjetër të mandatit.
Gjithsesi, ndasitë në pikëpamjet politike nuk ndikuan tk Bujar Nishani i cili për pesë vite mbajti staturën e një kreu shteti, duke respektuar limitet që i kishte caktuar Kushtetuta, gjë të cilën e tregoi edhe në rastin kur, në kulmin e konflikti tme Edi Ramën, i miratoi atij një ministër për të cilin tha publikisht se binte ndesh me moralin e tij.
Në 24 korrikun e vitit 2017 çelësat e Presidencës ia dorëzoi Ilir Metës, por kjo nuk ishte fundi i karrierës së tij. Bujar Nishani u angazhua sërish në Partinë Demokratike të cilën e quajti gjithmonë si shtëpinë e tij. Në vitin 2018 ai zgjidhet nga delegatët demokrat në postin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD-së.
Marrëdhënia me Lulzim Bashën u ftoh kur demokratët humbën në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. Nishani iu bashkua lëvizjes “Për PD-në” duke artikuluar publikisht nevojën e largimit të kryetarit.
Ishte ndër të parët që mbështeti ciklin e Foltoreve duke dalë në mbrojtje të Sali Berishës së shpallur non grata.
Reagimet nga të dyja krahët e politikës që pasuan ndarjen e tij të parakohshme nga jeta, janë prova se pavarësisht qëndrimeve dhe opinioneve personale, luajalitetin e shtetarit ia njeh i gjithë spektri politik. (A2 Televizion)