
Më tepër se 200 ndeshje të luajtura dhe 27 gola të shënuar. Vetëm pak muaj pasi i dha fund karrierës si futbollist, duke nisur aventurën si trajner, Ledian Memushaj bëhet kandidat për stolin e Pescara.
36-vjeçari është në listën e vogël me emrat që mund të zëvendësojnë trajnerin Colombo. Skuadra, e cila në harkun e pak viteve ka zbritur nga elita në Serinë C, nivelin e tretë të futbollit italian, nuk ka një ecuri të mirë.
Edhe pse janë në zonën e ngjitjes në Serinë B, fundjava pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e trajnerit. Klubi po shqyrton alternativat dhe mes kandidatëve është Memushaj. Vlonjati nisi karrierën si trajner në qershor të vitit të kaluar, pasi u emërua në krye të stolit të të rinjve të Pescara-s.
Në më pak se një vit, ai ka shansin të marrë drejtimin e ekipit të parë. Presidenti Sebastiani nuk dëshiron të bëjë prova dhe kërkon që tekniku i ri ta njohë mirë ambientin dhe lojtarët. Asnjë më mirë se Ledian Memushaj nuk mund ta bëjë këtë, me shqiptarin që deri pak muaj më parë ishte vetë në fushë dhe mbante shiritin e kapitenit.
Nëse emërohet, objektivi për ish-mesfushorin e Kombëtares është që ta mbajë skuadrën të paktën në vendin e tretë, duke e vendosur në pozita komode në ndeshjet play-off për të synuar kthimin një kategori më lart. (A2 Televizion)