
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar në lidhje me deklaratën e Partisë Demokratike në lidhje me kartat identifikuese që do të pajisen delegatët e Kuvendit të 11 dhjetorit, të cilat i cilësoi si të falsifikuara.
Përmes një deklarate për shtyp, Berisha shkruan se kryetari i PD, i braktisur nga delegatët dhe anëtarësia, tani po kapet me çështje qesharake siç janë logot dhe vulat, të cilat faktikisht iu përkasin demokratëve.
“Të vënë përballë faktit të kryer se shumica e delegatëve të Kuvendit dhe anëtarëve të PD i kanë përcaktuar tashmë de facto si pakicë uzurpuese të Partisë Demokratike, ashtu si pritej, pengkryetari në largim dhe ai që ka poshtë, do të zvarriteshin pas logove e pas vulave duke u bërë më qesharakë seç janë.
Simbolet, vula, selia dhe vete Partia Demokratike u përkasin demokratëve të cilët kanë deleguar vullnetin e tyre tek delegatët e Kuvendit Kombëtar që është dhe organi më i lartë i Partisë Demokratike. Mbi 5000 mijë delegatë që përbëjnë dhe mbi 65% të këtij Kuvendi kane firmosur ta thërrasin atë në 11 Dhjetor në përputhje të plote me statutin e PD”, shkruhet në reagim. (A2 Televizion)