Berisha, takim virtual me demokratët në SHBA: Opozita ndoqi shembullin e qeverisë, deformoi votën

Nga A2 CNN
5 Dhjetor 2021, 18:12 | Politikë
Berisha, takim virtual me demokratët në SHBA: Opozita ndoqi shembullin

“Kjo foltore është historike sepse kudo janë shqiptarët, ata kanë luajtur gjithnjë dhe do të luajnë një rol themelor. Ata do të luajnë rolin e madh të mbështetjes së fuqishme të çdo angazhimi të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar. Në një seri takimesh në mbarë vendin, në këtë lëvizje, unë dua t’u tregoj ju se kam gjetur në mënyrë absolute të njëjtin entuziazëm, optimizëm, si në revolucionin paqësor të dhjetorit 1990. Sot, shqiptarët përballen me një diktaturë, por të llojit tjetër, me një regjim të bazuar në krimin dhe modelin e shkuar të Shqipërisë”.

Kështu u shpreh Sali Berisha gjatë një takimi virtual me demokratët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për Berishën, opozita ka ndjekur gjatë këtyre viteve shembullin e qeverisë, duke deformuar votën brenda Partisë Demokratike.

“Shteti ligjor në Shqipëri është zëvendësuar nga klanet e fuqishme të drogës, të krimit. Ato vendosin sot kudo, në rrugë e qeveri. Për shqiptarët, alternativë e vetme sigurie për jetën ka mbetur largimi i tyre masiv nga Shqipëria. Opozita ndoqi shembullin e qeverisë, deformoi në mënyrë të tmerrshme votën brenda Partisë Demokratike. Për ne është e qartë se vota e lirë është ADN-ja e të gjitha të drejtave të tjera, e ligjeve, e shtetit ligjor. Ndaj, edhe kjo lëvizje që synon t’i japë vendit një opozitë të vërtetë, që të qëndrojë fuqishëm ndaj regjimit, që të ngjallë shpresë dhe besim te qytetarët”, u shpreh Berisha.

Më tej, ai theksoi se më 11 dhjetor rithemelohet Partia Demokratike. “I japim vendit opozitën e vërtetë për karshi asaj të marrë peng nga narko-qeveria”, tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos