
Dinamo alarm mungesash para sfidës ndaj Laçit. Fitorja e fundit ndaj Kastriotit, ka mbushur me optimizëm Dinamon që tani më e sheh veten në vendin e katërt në kuotë të barabartë pikësh me kampionët në fuqi të Teutës.
Megjithatë, tekniku Blendi Shkëmbi duhet të mendojë që tani për llogaritë e ndeshjes së radhës, aq më tepër kur përballë ka një kundërshtar jo shumë të lehtë si Laçi.
Kryeqytetasit vijnë me një infermieri të stërmbushur ku përveç mungesave të sigurta të Gjatës e Diogo të dëmtuar dhe Maliqi e Sidibe të skualifikuar, për shkak se kanë plotësuar numrin e kartonëve, listës së gjatë i janë shtuar të tjerë protagonistë.
Në seancën e fundit stërvitore, probleme ka shfaqur dhe sulmuesi Patrik Bardhi i cili pas një lëndimi nuk dihet nëse do të jetë gati për ndeshjen e së premtes, ndërsa po qëndron në monitorimin e stafit mjeksor.
Edhe e njëjta situatë duket se është dhe për sulmuesin Rimal Haxhiu i cili pas dëmtimit në derbi, është stërvitur i distancuar nga pjesa tjetër e skuadrës dhe do të vlerësohet në dy ditët e mbetura.
Laçi–Dianmo do të jetë dueli i parë që do të hapë javën e 11 të Kategorisë Superiore, ndërsa po në të njëjtën ditë, Teuta do të luajë ndeshjen e kthesës me Vllazninë për të lënë vendin të shtunën me tre sfidat e mbetura Egnatia –Tirana, Kastrioti-Kukësi dhe Partizani-Skënderbeu. (A2 Televizion)