
Vitin e kaluar luftuan deri në fund për titullin, teksa në këtë sezon beteja duket se është spostuar për kupat e Europës.
Vllaznia dhe Partizani rikthejnë një duel epik, me shkodranët që nuk e njohin humbjen në 5 ndeshjet e fundit direkte. Por, nga pezullimi i Aralicas e deri te stërvitja në kalçeto bëjnë që problematikat për kuqeblutë të mos mungojnë.
“Edhe pse kemi arritur rezultate të mira, kjo ndaj Partizanit është një sfidë krejt tjetër. Padyshim që do të hyjmë në fushë për të fituar dhe të marrim tre pikët. Nuk kemi kohë të ankohemi që jemi stërvitur në fushë mini-futbolli. Kushtet këto janë edhe i dimë. Punuam shumë në aspektin psikologjik me lojtarët, për ti mbajtur të përqendruar vetëm te fitorja. Fatmirësisht stërvitjen e fundit e realizuam në stadium, ku u kujdesëm për mënyrën si do të luajmë”, tha Brdariç.
Ndërsa Daja tha se: “Përballjet me Vllazninë janë ndeshje ku brenda është dhe kënaqësia dhe vështirësia. Ata luajnë një futboll të hapur, kjo shihet dhe nga golavarazhi, luhet në një vend që është komod se stadiumi ‘Loro Boriçi’ është një nga stadiumet e reja të Shqipërisë. Pavarësisht se tifozët shkodranë do të bëjnë tifo për skuadrën e tyre, dihet që nëse luan bukur dhe nëse merr pikë në Shkodër mund të dalësh edhe i duartrokitur”.
Në takimin tjetër të kësaj të mërkure, Skënderbeu kërkon fitoren e dytë sezonale përballë Egnatias.
(A2 Televizion)