Moggi: Mashtrimi me bilancet në Serinë A, sistemi ekziston prej “Calciopoli”-t

Nga A2 CNN
7 Dhjetor 2021, 13:07 | Futboll
Moggi: Mashtrimi me bilancet në Serinë A, sistemi ekziston prej

Hetimi për mashtrime me bilancet në Itali, që është përqendruar kryesisht te Juventusi, por prek shumë klube të Serisë A, nuk është një skandal i kohëve të fundit.

Luciano Moggi, ish-drejtori i përgjithshëm i klubit bardhezi, që u përjashtua përjetë nga futbolli, hodhi “bombën” duke deklaruar se rritja fiktive e të ardhurave është një sistem i krijuar përpara 15 vjetëve dhe funksionon prej kohës kur futbolli italian u rrënua nga “Calciopoli”.

“Kur rrit bilancin në mënyrë fiktive, thjesht shtyn një borxh aktual për disa vjet. Por, më pas e sheh veten në një situatë ku gjendesh me 200-300 milionë euro borxhe. Ankesat se Covid ka goditur klubet janë qesharake. Kur ke bilance negative me humbjen e qindra milionave, atëherë problemi nuk lidhet me pandeminë. Kur ishim te Juventusi, na akuzuan për rritjen fiktive të bilancit me 5 milionë euro, pasi blemë Moretti nga Fiorentina. Juve synonte të ndihmonte klubin tjetër, që ishte në vështirësi financiare. Hetimi zgjati dy vjet: unë, Bettega e Giraudo akuzoheshim si nëpunës të pabesë. Me aq sa unë di, është e pamundur që një skuadër e kuotuar në bursë të falsifikojë bilancet financiare”, tregon Moggi.

Pak ditë më parë, Moggi kishte deklaruar edhe se prej vitit 2004, prokuroria hetoi mashtrimin me bilancet për ekipe si Parma, Genoa, Sampdoria, Chievo, Pescara e Napoli. Çështja rezultoi një “flluskë sapuni”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos