
Komisioni Evropian rekomandoi rihapjen graduale të kufijve për udhëtarët jashtë bllokut nga 1 korriku. Komisioni propozoi që masa e ndalimit të hyrjes në BE, të hiqet për ato vende të cilat dëshmojnë se situata e përhapjes së koronavirusit është e menaxhueshme.
“Udhëtimi ndërkombëtar është thelbësor për turizmin dhe bizneset e gjithashtu për lidhjet familjare e miqësore. Duhet të rihapni kufijtë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Ylva Johansson, komisionere për çështjet e brendshme.
Në propozimin e Komisionit Evropian, kufizimet është kërkuar që të hiqen për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor: Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi, Bosnje-Hercegovinë dhe Serbi. Komisioni e ka arsyetuar këtë kërkesë me faktin që “situata epidemiologjike e tyre është e ngjashme apo edhe më e mirë sesa në BE”.
Siç thuhet, rekomandimi është edhe në përputhje me angazhimin e Komisionit Evropian që të përfshijë për së afërmi vendet e Ballkanit Perëndimor në zbatimin e udhërrëfyesit për heqjen e masave kufizuese në luftën kundër pandemisë.
Aty përfshihet edhe rekomandimi për rifillimin e punës në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore për dhënien e vizave. Sa u përket vendeve të tjera, Komisioni ka propozuar që vendimet të kushtëzohen me situatën epidemiologjike në to. Shumica e vendeve të Bashkimit Evropian pritet të hapin kufijtë e brendshëm nga 15 qershori, por Spanja dhe Portugalia kanë thënë se do të presin edhe pak, ndërsa Danimarka planifikon të lejojë udhëtimet vetëm me Gjermaninë, Islandën dhe Norvegjinë. (A2 Televizion)