
Partizani zyrtarizon afrimin e Albers Kekos. Sulmuesi kryeqytetas është përforcimi i parë i kampionëve të Shqipërisë. Pas eksperiencës pozitive te Korabi, skuadër me të cilën shënoj edhe 14 gola, Keko ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me te kuqtë me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon.
21-vjeçari është prezantuar nga presidenti Demi ndërsa është bashkuar menjëherë me skuadrën për të nisur përgatitjet e turit të parë në Champions League.
Pas 3 sezonesh, Ardit Hoxhaj nuk është më një lojtar i Vllaznisë. Lajmi është bërë i ditur nga vetë futbollisti përmes një postimi në rrjetet sociale ku njoftoi mbylljen e bashkëpunimit me klubin shkodran.
Këtë vit, vlonjati u aktivizua në 36 ndeshje ndërsa shënoi 5 gola.
Shqipërim Taipi nuk është më një lojtar i Kukësit. Lajmin e bëri me dije vetë faqja zyrtare e klubit që me anë të një postimi, njoftoi prishjen e bashkëpunimit mes palëve.
Edhe pse futbollisti kishte dhe një vit kontratë me verilindorët, në një bisedë të gjatë me drejtuesit, nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët, ndërsa burime pranë klubit bëjnë me dije se një nga arsyet kryesore të largimit të tij, ishin pagat e pamarra.
Menjëherë pas prishjes së kontratës kanë nisur dhe ofertat. Vllaznia ka treguar interesin, por nuk mungojnë dhe klubet e kryeqytetit Tirana apo Partizani.
Me largimin e Shqipërimit, më shumë gjasa drejt asaj rruge është dhe i vëllai i tij. Gjelbërim Taipi që siç mësohet as ai nuk do të ulet për të rinovuar kontratën me Kukësin.
(A2 Televizion)