
Forumi Rinor i Partisë Demokratike do të organizojë sot në mesditë një protestë përballë Kryeministrisë, dhe kryetari i tij Belind Këlliçi shpjegon arsyet për A2.
“Kjo protestë bëhet se për çdo demokrat 20 shkurti është një ditë e shënuar, rrëzimi i shtatores të diktatorit, dhe këtë vit nuk mund t’i shmangemi protestës”, duke shtuar se simbolika e 20 shkurtit tregon edhe faktin që çdo diktator ka një cikël ku ngrihet dhe më pas rrëzohet.
Këlliçi tregoi detaje nga skenari i protestës, ku do të ketë “headlines për Shqipërinë nga të gjithë gazetat dhe rivistat më të rëndësishme ndërkombëtare, që dëshmojnë degradimin e demokracisë në këto 7 vite, hapat pas për të drejtat e njeriut, kanabizimi i vendit, ekonomia më e dobët në Europë, ku 500 shqiptarë kanë ikur në emigracion”.
Shumë nga këto të larguar janë të rinj, që sipas tij nuk shohin asnjë perspektivë, dhe që në protestën e sotme do të kenë zë për të folur për problematikat e tyre. Por protesta e sotme, për të, jo domosdoshmërish përkon me rifillimin e sezonit të protestave të opozitës.
“Kjo pjesë është tërësisht e organizuar nga Forumi Rinor, përtej kushteve klimatike jo të favorshme dhe mungesës së suportit monetar. Nuk do të jetë protesta e vetme por sërish do të jenë pjesë e aksionit të të rinjve” thotë Këlliçi që më pas shton se “PD është ulur në tryezën e reformës zgjedhore, ku rezultatet priten brenda afatit të 15 marsit. Ne si parti udhërrëfyesin tonë e kemi tek 9 pikat e Bundestagut, ku zgjedhjet e lira janë kryefjalë”, në një situatë politike ku sipas tij i duket anormale edhe atyre që nuk votojnë për opozitën.
Për sa i përket apelit të presidentit për një ”besëlidhje” më 2 mars, Këlliçi sqaron se “presin detajet e thirrjes” , edhe pse dakordësojnë me shqetësimet e tij. (A2 Televizion)