Kelmend Balili kërkon të ndryshojë burg

Nga A2 CNN
17 Shkurt 2021, 15:45 | Kronikë
Kelmend Balili kërkon të ndryshojë burg

Kelmend Balili, i dënuar me 10 vite heqje lirie për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ka paraqitur një kërkesë në Gjykatë për të ndryshuar burg, për shkaqe shëndetësore. Çështja është ende në shqyrtim dhe deri tani nuk është marrë një vendim nga ana e Gjykatës. Aktualisht, ai po vuan dënimin në burgun e Elbasanit, ku edhe ka paraqitur kërkesën.

Në janar të vitit të kaluar, Balili dërgoi çështjen e tij në Gjykatën e Lartë, ku kërkon pafajësinë, duke kundërshtuar dënimin.

Shkalla e Dytë e Krimeve la në fuqi dënimin e Balilit si fajtor për trafikimin e një sasie prej 700 kg kanabis drejt Greqisë në formën e grupit të strukturuar kriminal. Në rekursin e bërë në Gjykatën e Lartë, Balili këmbëngulte se akuzat e ngritura kundër tij janë të paprovuara.

Ndërkohë, në shtator 2020, Gjykata për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi konfiskimin e pasurisë së atij që u etiketua nga mediat greke dhe shqiptare si “Eskobari i Ballkanit”, duke kaluar në favor të shtetit 40% të pasurive të tij.

Vendimi erdhi pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme për konfiskim. Mes pasurive, numërohen dhe 17 apartamente në pronësi të Balilit, truall me sipërfaqe 11 994 m2, truall 1716 m2 në qytetin e Sarandës si dhe ish-kampi i pushimit të punëtorëve me sipërfaqe ndërtimi 1923 m2 dhe sipërfaqe trualli 13 000 m2, në qytetin e Sarandës. Për administrimin dhe përdorimin e pronave të konfiskuara Gjykata ngarkoi Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara në Tiranë.

Balili ka qenë për 2 vite, prej 2016-s, drejtor i Drejtorisë së Transporteve në qytetin e Sarandës. Pikërisht, në këtë vit, mediat greke pohuan se një sasi prej 700 kilogramë kanabis që u sekuestrua asokohe në vendin helen i përkiste 47-vjeçarit të cilin e quajtën edhe “Eskobari i Ballkanit”. Hetimi ndaj Balilit në Greqi u bë nga “DEA” amerikane dhe policia greke. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos