Këmbimi valutor, euro në pikiatë, zbret në 121.6 lekë

Nga A2 CNN
28 Korrik 2021, 13:00 | Ekonomi
Këmbimi valutor, euro në pikiatë, zbret në 121.6 lekë

Valuta europiane është në rënie të thepisur në tregun vendas të këmbimit valutor, që prej gjysmës së dytë të korrikut, kur ka nisur edhe piku i sezonit turistik.

Në më pak se 10 ditë, euro ka humbur 0.82 pikë kundrejt lekut dhe shënon sot nivelin e 121.68 lekëve, më i ulëti që nga Janari i 2020-ës.

Të dhënat e detajuara të Bankës së Shqipërisë, e caktojnë çmimin mesatar të blerjes së euros në 121.96 lekë dhe atë të shitjes, pra konvertimit të euros në lekë, në 121.41 lekë.

Agjentët e tregut shprehen se zhvlerësimi i euros lidhet me ofertën e shtuar, për shkak të turistëve të huaj që vijnë nga Kosova dhe vendet e Bashkimit Europian. 

Gjatë javës së kaluar Banka e Shqipërisë zhvilloi një ankand për blerjen e 10.7 milionë eurove në tregu, por pa ndikuar në zbutjen e forcimit të lekut. Ky ishte ankandi i tetë i këtij lloji këtë vit, teksa priten edhe 6 ndërhyrje të tjera deri në fund të vitit.

Pritshmëritë janë që zhvlerësimi të vijojë deri në fund të muajit Gusht, kur pritet vala më e madhe e hyrjeve të pushuesve dhe emigrantëve që rikthehen në vend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos