“Kemi doza për të gjithë, edhe për fqinjët”, Leyen: Vaksinimi deri në 70% e popullatës sjell fundin e pandemisë

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2020, 14:34 | Bota
“Kemi doza për të gjithë, edhe për

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, doli para eurodeputetëve për të dhënë disa lajme të mira.

“Kemi shpresë!”, tha ajo pasi në Parlamentin Europian u luajtën tinguj muzikorë në nderim të 250-vjetorit të lindjes së kompozitorit të njohur, Ludwig van Beethoven.

Zyrtarja shpjegoi se Bashkimi Europian ka portofolin më të gjerë të vaksinave potenciale ndaj Covid-19 dhe se do të ndihmojë edhe fqinjët me imunizimin e qytetarëve.

“Brenda një jave, vaksina e parë do të autorizohet dhe kështu imunizimi mund të nisë menjëherë. Të tjera do të pasojnë në vitin e ri. Në total, ne kemi blerë doza më shumë se mjaftueshëm për të gjithë në Europë dhe do të jemi në gjendje që të mbështesim fqinjët tanë dhe partnerët në botë përmes COVAX, në mënyrë që askush mos të lihet pas”, tha Ursula von der Leyen.

Presidentja e Komisionit Europian sqaroi dhe mënyrën se si mund t’i jepet fund kësaj pandemie.

“Për t’i dhënë fund pandemisë, ne duhet që të vaksinojmë deri në 70% të popullatës. Është një detyrë shumë e madhe. Prandaj le të nisim sa më shpejt që të jetë e mundur me vaksinimin, së bashku, të 27 vendet, në të njëjtën ditë.”

Ndërkohë, Agjencia Europiane e Barnave pritet që me 21 dhjetor të marrë një vendim për aprovimin e vaksinës së zhvilluar nga Pfizer dhe Biontech, ndërsa shtetet anëtare të BE-së kanë përgatitur planet dhe infrastrukturën për imunizimin masiv, fillimisht të personelit shëndetësor dhe grupeve të riskut e më pas të të gjithë popullatës.

E teksa pritet drita jeshile, në Mbretërinë e Bashkuar, 137 mijë persona kanë marrë dozën e parë të vaksinës së Pfizer dhe Biontech. Gjithashtu, edhe mijëra amerikanë morën dozën e parë të po së njëjtës vaksinë, pas aprovimit nga Administrata për Ushqimin dhe Ilaçet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos