Kërcënoi me jetë bashkëjetuesen, arrestohet 32 vjeçari në Durrës dhe i vëllai i tij

Nga A2 CNN
12 Dhjetor 2021, 11:09 | Kronikë
Kërcënoi me jetë bashkëjetuesen, arrestohet 32

Policia e Durrësit ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale, pasi një qytetare ka kërkuar ndihmë se po e kërcënonte për ta vrarë bashkëjetuesi i saj. Policia ka arrestuar bashkëjetuesin e saj Lulëzim Doko alias Kurti dhe të vëllain e tij 35-vjeçar Altin Kurti, ndërsa ka shpallur në kërkim dy shokë të tij Meti Lika dhe Ergi Hidraliu për armëmbajtje pa leje.

Gjatë kontrollit në banesën e tij në Durrës dhe Tiranë janë sekuestruar 2 armë zjarri kallashnikov, 2 armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe 2 automjete.

Njoftimi i Policisë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Durrës, pas njoftimit të marrë nga një shtetase e cila ishte e traumatizuar dhe kërkonte ndihmë sepse po e kërcënonte për ta vrarë bashkëjetuesi i saj, kanë vlerësuar njoftimin e marrë dhe menjëherë kanë mirëorganizuar punën dhe si rezultat i ndërhyrjes profesionale dhe të menjëhershme të punonjësve të Policisë, është bërë i mundur parandalimi i vrasjes së shtetases K. B. dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

 L. D. alias K., 32 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Durrës, për veprën penale "Vrasje me paramendim për shkak të marrëdhënieve familjare", mbetur në tentativë dhe "Armëmbajtja pa leje", i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale, i cili në momentin e arrestimit mbante me vete një armë të llojit pistoletë me krehër me 8 fishekë, me të cilën do të kryente krimin.

Nga veprimet hetimore të kryera, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë  për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, i shtetasit  A. K., 35 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Durrës, vëllai i autorit.

Këtij shtetasi, nga kontrolli i banesës iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik kallashnikov dhe 23 fishekë.

Gjithashtu, në bazë të hetimit të thelluar të rrethanave të kësaj ngjarjeje të ndodhur dhe lidhjeve shoqërore të autorit të ngjarjes, shërbimet e Policisë, bënë të mundur zbulimin e një banese të marrë me qira në qytetin e Tiranës, e cila përdorej nga i arrestuari, shtetasi L. D., dhe shtetasit M. L., banues në Durrës dhe E. H., banues në Thumanë Krujë, banesë në të cilën u gjetën dhe u sekuestruan në cilesinë provës materiale një armë zjarri automatik, me krehër dhe fishekë dhe një pistoletë me fishekë.

Shtetasit M. L. dhe E. H., u shpallën në kërkim si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Armëmbajtja pa leje”.

Materialet i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos