
Kërkesat e larta për azil nga Shqipëria në vendet e Bashkimit Europian në vitet e fundit janë shqetësuese për zhvillimin ekonomik të vendit, i cili duhet të trajtohet si prioritet kombëtar. Kështu u shpreh në studion e Ditari në A2 analisti Majlind Lazimi.
“Shqipëria është kampione, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Europë në raport me popullsinë sa i takon azilit. Emigracioni do të krijojë një barrierë dhe taksë shtesë për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Ballkani është edhe vend tranzit i azilkërkuesve. Shqiptarët kanë një dëshirë dhe psikozë kolektive për të kërkuar një jetë më të mirë diku tjetër”.
Sipas Laizmit emigracioni është një plagë e madhe dhe pavarësisht kushteve ekonomike më shumë është një çështje politike, ku kërkohet dakordësi ndërpartiake dhe duhet të jetë prioritare nga të gjithë aktorët në Shqipëri.
“Niveli ekonomik është vështirësuar, kemi ulje të azilkërkuesve për shkak të kufizimeve nga pandemia, por janë edhe kushtet ekonomike sociale, pritshmëria për një jetë më të mirë. Shqipëria ka nivele dhe shkallën më të lartë të studentëve që diplomohen në universitete europiane. Jemi në fazën se çfarë duhet të bëjmë. Dhe unë e shikoj mirëfilli çështje politike ku kërkohet dakordësi ndërpartiake e kombëtare, se kjo është një plagë e madhe. Kemi probleme me plakjen e popullsisë dhe të treja këto kanë presion të madh. Kjo është një çështje prioritare e të gjithë aktorëve në Shqipëri”.
Duke akuzuar politikën si mediokre në përthithjen e trurit, Lazimi sugjeron rritjen e cilësisë së arsimit dhe krijimi i një platforme për rikthimin e të rinjve duke iu ofruar mundësi pune dhe karriere, si edhe krijimi i kurrikulave në funksion të nevojave të tregut.
“Kemi të gjitha shanset që të rrisim cilësinë e arsimit dhe të krijojmë një turizëm statutor, në vende të tjera janë kthyer oazë për studentët ndërkombëtarë ta shohin Shqipërinë si potencial. Dhe e dyta të krijojmë një brain game premisa për rikthimin e tyre por të kenë mundësi të penetrojnë në sektorin privat dhe të kenë mundësi të jenë në krye të punëve të Shqipërisë të krijohen kurrikulat që përputhen me tregun e punës. Ne nuk kemi platformë dhe politika ka qenë refuzuese dhe mediokre për të thithur trurin”.
Lazimi thekson se në skenarin më te keq në 2050 Shqipëria do të katandiset për 800 banorë dhe kjo do të ishte katastrofike. Sipas tij në vendin tonë ka keqmenaxhim të resurseve natyrore dhe njerëzore dhe duhet të rritet produktiviteti dhe jo të ulet kostoja e punës.
“Rasti i Kroacisë është një pikë që rritja e emigracionit është bërë fill pas futjes në BE dhe nuk mendoj se futja në BE do ta ulte emigracionin, por ajo që mendoj unë është si të bëjmë një Europë të re. Duhet të thithim investimet e huaja dhe do të kemi rritje të pagave. Të kemi politika aktive dhe qeveria të promovojë emigracionin qarkullues. Në skenarin më të keq Shqipëria në 2050 do të katandiset në 800 mijë banorë dhe kjo është katastrofike për Shqipërinë në një kohë kur në potencialet e saj mund të jetojnë 5-6 milionë shqiptarë. Kemi të bëjmë me keqmenaxhim të resurseve njerëzore dhe natyrore. Kjo duhet të bëjë bashkë si botën akademike, politikën, sektorin privat. Biznesin mund të tundohet nga emigrantët nga Bangaldeshi, por nëse merr emigrantë nga bota e tretë, kjo është vetëvrasëse pasi këta do të paguhen pak, por do të konsumojnë më pak dhe paratë do ti dërgojnë në vendet nga vijnë. Ne duhet të rrisim produktivitetin dhe jo të ulim koston e punës. Kemi nevojë të rikualifikojmë kapacitetet njerëzore”. (A2 Televizion)