Trump do mbajë mbledhje urgjente! Sulm i rëndë izraelit në gaza, mbi 21 viktima, 10 vdekje nga uria

Nga Xhevahir Qardaku
27 Gusht 2025, 15:11 | Bota

Të dyja anët e së njëjtës medalje në Rripin e Gazës kanë imazhin e fatkeqësisë. Që nga zbardhja e ditës së re, në enklavën palestinezë janë vrarë 21 persona nga sulmet e ushtrisë së Izraelit, që vazhdon ofensivën e planifikuar për pushtim. Bilanci raportohet nga media Al Jazeera, që citon burime mjekësore.

Numri i të vdekurve përfshin katër civilë të vrarë ndërsa prisnin ndihmë humanitare. Ministria e Shëndetësisë e Gazës raportoi se dhjetë persona të tjerë kanë vdekur në 24 orët e fundit “për shkak të urisë dhe kequshqyerjes” në enklavë, duke specifikuar se dy prej tyre ishin fëmijë. Kjo e çon numrin e përgjithshëm të vdekjeve të lidhura me urinë në 313, përfshirë 119 fëmijë, shkruan A2 CNN.

Presidenti francez Emmanuel Macron i dërgoi një letër kryeministrit Benjamin Netanyahu duke e paralajmëruar se plani i Izraelit për të ripushtuar qytetin e Gazës, për të zhvendosur me forcë palestinezët dhe për t'i lënë të uritur nuk do të çojë kurrë në fitore për Izraelin. Këto veprime vetëm sa do ta thellojnë izolimin e shtetit hebre, shtoi ai, duke forcuar ata që e përdorin pushtimin “si pretekst për antisemitizëm” dhe duke rrezikuar komunitetet hebraike në të gjithë botën.

“Franca nuk mund të pranojë të shohë një mik si Izraeli të zhytet në një spirale dhune në kundërshtim me historinë, origjinën dhe thelbin e tij demokratik, duke i kthyer shpinën mundësisë që ofron historia sot”, shkroi Macron. Ndërkohë, në Shtëpinë e Bardhë do të mbahet një takim shumë i rëndësishëm nën udhëheqjen e presidentit amerikan, Donald Trump. Këtë e konfirmoi i dërguari special i SHBA-së, Steve Ëitkoff, që sqaroi se po ndërtohet “një plan shumë gjithëpërfshirës për të ardhmen në territorin palestinez që është shkatërruar nga lufta për gati dy vjet”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos