Çdo takim midis presidentëve rusë dhe ukrainas duhet të jetë “i përgatitur mire”. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e theksoi këtë, duke nënkuptuar se një samit midis Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky nuk do të zhvillohet së shpejti, shkruan A2 CNN. “Çdo kontakt i nivelit të lartë duhet të jetë i përgatitur mirë që të jetë efektiv”, u tha Peskov gazetarëve. Delegacionet negociuese ruse dhe ukrainase janë “në kontakt”, por ende nuk është caktuar asnjë datë për bisedimet e ardhshme.
Megjithatë Kievi nuk është në të njëjtën fazë. “Fatkeqësisht, rusët aktualisht po dërgojnë sinjale negative në lidhje me takimet dhe zhvillimet e mëtejshme. Sulmet ndaj qyteteve dhe fshatrave tona vazhdojnë. Çdo ditë ka viktima të reja. Rusët do të reagojnë vetëm ndaj presionit të vërtetë në përgjigje të gjithë kësaj. Presioni është i nevojshëm. Ne mbështetemi në të. Nevojiten hapa konkretë nga Rusia, hapa drejt diplomacisë së vërtetë”, tha presidenti Zelensky, pas një telefonate me homologun e Finlandës.
Kremlini përsëriti kundërshtimin ndaj vendosjes së trupave europiane në Ukrainë si pjesë e garancive të sigurisë. Zëdhënësi Peskov, thekson se për Moskën, vendosja e infrastrukturës ushtarake të NATO-s në Ukrainë ishte një nga shkaqet kryesore të konfliktit. Uashingtoni e konsideron të mundshëm një takim dypalësh midis Presidentit rus dhe atij Ukrainas, deklaroi i dërguari special i SHBA-së Steve Ëitkoff në një intervistë për Fox Neës. “Mendoj se mund të përfundojmë duke pasur një takim dypalësh”, shtoi ai, duke nënvizuar faktin se presidenti amerikan, Donald Trump, duhet të jetë i pranishëm në tryezë për të finalizuar një marrëveshje. (A2 Televizion)