Mirënjohës ndaj atyre që luftuan në vijën e parë të zjarrit, por kërcënues ndaj gjyqtarëve që lanë të lirë të akuzuarit për zjarrvënie të qëllimshme. Në ceremoninë e organizuar në Pallatin e Kongreseve Kryeministri Edi Rama akuzoi përfaqësuesit e drejtësisë si bashkëpunëtorë në krim.
“Disa persona të cilëve nuk u dihen emrat, nuk u njihet fytyra, me një ndjeshmëri njerëzore zero, me një integritet moral dhe profesional zero me xhufkë, në ajër te kondicionuar mbuluar me turbën e zezë të gjykatësit i përqeshin të gjitha sakrificat dhe i shkelin me të katra këmbët e tyre të gjitha interesat e vendit dhe të publikut, duke dhënë vendime të “ububu”-shme, jo në mbrojtjes të Republikës, por në favor të zjarrvënësve. Nuk janë shumë, por janë mjaft për të vënë duart në kokë.”
Pas vendimeve gjyqësore që dalin kundër aksionit për hapësirat publike, kryeministri Rama paralajmëroi padi edhe për ata njerëz të drejtësisë që tolerojnë të arrestuarit për zjarrvënie të qëllimshme.
“Ne as nuk do të heshtim dhe as nuk do lëmë gurë të shtratit gjyqësor të kësaj Republike pa luajtura për të vendosur përpara përgjegjësisë publike dhe institucionale çdo prokuror apo gjykatës që do të sulmojë haptas shtetin dhe interesin publik në proceset ligjore me zjarrvënës, me zaptues apo me gllabërues të të mirave dhe ta pasurive publike të këtij vendi.”
I gjendur përpara ambasadorëve të huaj, Edi Rama në fjalën e tij u tregua i kujdesshëm për të sqaruar se qeveria nuk ka vetëm qasje kundërshtuese ndaj drejtësisë.
“Natyrisht nuk do të kursejmë çdo mbështetje institucionale për prokurorët dhe gjykatësit, që i shërbejnë misionit historik kombëtar të Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian, duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe duke qëndruar drejt në mbrojtje të interesit publik dhe të lirive e të drejtave të njerëzve të këtij vendi.”
Pa përfunduar ende përballja me situatën e zjarreve apo pa dëmshpërblyer fermerët e dëmtuar, qeveria dekoroi 24 zjarrfikësit, policë dhe përfaqësues të FA që bën të mundur shuarjen e vatrave dhe u erdhën në ndihmë banorëve të rrezikuar.
Flota ajrore sipas Ramës nuk bën magji, por në planet e së ardhmes, edhe pse pa periudhë të përcaktuar, Shqipëria do të ketë edhe avionë zjarrëfikës.
“Ne do të kemi së shpejti flotën e avionëve tanë, e cila do të nisë të ndërtohet me dy avionë zjarrfikës. Parandalim më të mençur, pastrim pyjesh, krijim korridoresh natyrore, futje në përdorim të më shumë dronëve për monitorim me kamera termike dhe futjen në përdorim gjerësisht të dronëve për mbjelljet e reja në sipërfaqet e djegura.”
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes zona e Akërnisë në Vlorë dhe ajo e Bogovës në Skrapar vijojnë të jenë dy vatra zjarri ende aktive. (A2 Televizion)