
Gjykata e Tiranës vendosi të pushojë gjykimin e kërkesës së ish-Kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, për ndryshim të masës së sigurisë “arrest në burg”. Ish-zyrtari i lartë, i akuzuar për tre vepra penale, i fshihet drejtësisë që prej 12 nëntorit 2019, kohë kur gjykata caktoi për të një masë sigurie “arrest në burg” në mungesë.
Ndonëse ka organizuar disa operacione, policia ende nuk ka mundur ta gjejë dhe arrestojë. Kërkesën për zëvendësim të masës së dhënë në mungesë Kajmaku e bëri nga arratia përmes avokatit të tij mbrojtës. Në seancën e së martës, avokati Isuf Shehu nuk u paraqit, çka u bë shkak për pushimin e çështjes dhe lënien të pacenuar të masës së “arrest në burg” për Kajmakun.
Në 20 janar të këtij viti Prokuroria e Tiranës mbylli hetimet për Kajmakun duke e marrë të pandehur për “falsifikim të formularëve”, “falsifikim të dokumenteve zyrtare” dhe “kryerje e funksionit pas dhënies fund të tij”. Sipas prokurorisë, ish-Kryebashkiaku nuk ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit një procedim penal në Greqi, ka falsifikuar numrin e protokollit në urdhrat e firmosur prej tij për shkarkimin nga detyra të dy nënkryetarëve, si edhe ka hyrë në ambientet e Bashkisë Vorë, pasi KQZ e kishte shkarkuar nga detyra.
Bashkë me Kajmakun prokuroria ka marrë të pandehura edhe tre ish-vartëset e tij Merita Shytko, Irma Bylyku dhe Mirjeta Mema, të akuzuar për “falsifikim” dhe “shpërdorim detyre”. Pas mbylljes së hetimit, prokuroria i lë 10 ditë afat të pandehurve të paraqesin kundërshtime dhe me tej ia përcjell dosjen gjykatës për seancën paraprake. Në këtë seancë gjykata vendos kalimin e dosjes në gjyq, kthimin e saj për plotësim të hetimeve, ose pushimin e saj. (A2 Televizion)