
Policia ka arrestuar një person dhe proceduar në gjendje të lirë dy të tjerë të akuzuar për veprën penale “pornografi me të mitur”.
Sipas policisë, personi i ndaluar, një 16-vjeçar nga Fieri, me inicialet D.Dh. kishte hapur profile false në Facebook, prej nga kishte ngacmuar në periudha të ndryshme dy fëmijë të mitur, 9 dhe 12 vjeç, që banonin në Shtetet e Bashkuara. Policia thotë gjithashtu se dy personat e tjerë që u proceduan në gjendje të lirë, 22 e 25 vjeç, banues në Tiranë e Fier, kanë shfrytëzuar këto profile.
“Materiali kallëzues kishte të bënte me dy profile në rrjetin social Facebook, nëpërmjet të cilëve janë prodhuar e dërguar imazhe të turpshme dhe imazhe të shfrytëzimit të fëmijëve të mitur. Përdoruesit e këtyre profileve, me anë të komunikimeve në rrjetin social Facebook, në periudha të ndryshme, kanë ngacmuar dy fëmijë të mitur, 9 vjeç e 12 vjeçe, banues në Amerikë. Nga hetimet e kryera në vazhdimësi u provua se të dyja këto profile i përkisnin shtetasit të ndaluar”, thuhet në njoftimin e Policisë. (A2 Televizion)