Mijëra egjiptianë po firmosin për t’i kërkuar autoriteteve britanike të rikthejë në vendin e tyre një nga dokumentet më të rëndësishme për kuptimin e gjuhës dhe kulturës të kohës së faraonëve.
Bëhet fjalë për Gurin e Rozetës, mbishkrimin e gdhendur në hieroglif sipas historianëve në vitin 196 p.e.s. që kur u zbulua në vitin 1799 gjatë fushatës së Napoleonit në Egjipt, ndryshoi totalisht njohuritë për atë civilizim të hershëm dhe plot mistere.

Guri i çmuar, një nga fjalorët e parë të historisë, mbeti vetëm pak vite në Francë, dhe nga viti 1802 ndodhet në British Museum të Londrës.
Për momentin nuk ka asnjë përgjigje zyrtare nga Londra, por gjasat që diçka e tillë të ndodhë së shpejti, janë shumë të pakta.

Lajmi po hap një debat të vjetër mbi qindra veprat e civilizimeve të vjetra që ndodhen për arsye të ndryshme në pronësi të vendeve europiane, ose të paktën në muzetë e tyre.
Në epokë koloniale, ndoshta deri nëmësin e shekullit të kaluar, zhvatja e gjetjeve arkeologjike jo vetëm në Egjipt, por në të gjithë Afrikën dhe Lindjen e Mesme nuk cilësohej si diçka ilegale, madje favorizohej nga muze të ndryshëm që blinin nga privatët kryevepra me të cilat pasuronin koleksionin e tyre.
Në raste të tjera, objekte edhe më gjigante transportoheshin nga fuqitë koloniale në kryeqytetet e tyre, si simbol i një fushatë të suksesshme.
Zhvatjes së këtyre vendeve i ka dhënë një kontribut edhe rëndësia e pakët që i kushtohej pikërisht në vendet e origjinës ndaj këtyre objekteve. Në fillimin e shekullit të kaluar, nuk ishte e pazakontë të shihje në tregjet e Kairos ose Aleksandrisë dhjetëra sarkofagë dhe mumie në shitje të lirë, kur u kuptua që “perëndimorët” kishin interes për këto relike.
Ndërkohë që janë të shumtë ata që thonë se ka ardhur momenti që shtetet e origjinës të marrin veprat e vjedhura ose të mara në mënyrë të dyshimtë dhe forcërisht, të tjerë thonë se pikërisht perëndimorët zbuluan këto objekte dhe i dhanë vlerë, ndërkohë që rrezikonin shkatërrimin ose të mbeteshin në harresë. (A2 Televizion)