
Pensionistët më nevojtarë në Kukës, kanë nxituar që në ditën e parë të marrin bonusin e qeverisë për festat e fundvitit. Pranë zyrave të postës që në orët e para të ditës, pensionistët kanë përfituar 5 mijë lekë, një shumë kjo 2 mijë lekë më e lartë se bonusi i vitit të kaluar.
Por sa e ndihmon ky bonus shtresën e pensionistëve? A2 CNN ka pyetur disa prej tyre sapo kanë marrë shpërblimin e fundvitit.
“Nuk mjafton as për ilaçe, fare nuk mjafton, mua si person nuk më mjafton”, thotë një pensionist.
“Është pak”, shprehet një tjetër.
“Sa të mjaftojë, ne jemi me ilaçe, por faleminderit që na ka kujtuar, se pensionet i kemi të vogla”, shton një tjetër pensioniste.
“E mjaftueshme nuk është, janë rritur çmimet të gjitha, ishallah na ndihmojnë më tutje”, vijon një tjetër pensionist i Kukësit.
Bonusi i fundvitit për pensionistët, për personat me ndihmë ekonomike dhe ato me aftësi të kufizuara është vlerësuar në total prej 4,3 miliardë lekësh nga qeveria. Ndërsa ata që kanë statusin e pensionit të invalidit do të përfitojnë një shumë prej 11 mijë lekësh. (A2 Televizion)