Këshilli i Stabilizim Asociimit, rekomandimet e BE: Kujdes me amnistinë fiskale dhe vizat

Nga A2 CNN
14 Mars 2023, 18:29 | Politikë

Për herë të parë takimi i nivelit të lartë të Këshillit të Stabilizim Asociimit do të zhvillohet jashtë Brukselit.

Më 16 mars në Tiranë do të mbahet mbledhja e 12-të ndërmjet BE dhe Shqipërisë, kur përfaqësuesit i BE Joseph Borrell dhe euokomisioneri Oliver Varherly do të ulen në një tryezë me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Rekomandimet që këshilli do t’i adresojë Tiranës zyrtare fokusohen në kriteret politike, ekonomike dhe te rruga që ka bërë Shqipëria në përafrimin e legjislacionit. Edhe pse qeveria shqiptare është e vendosur që pasi të sigurojë votat të çojë në parlament amnistinë fiskale, Brukseli ngre sërish alarmin për rrezikun e pastrimit të parave.

Këshilli i bën thirrje Shqipërisë që të përmbahet nga vendosja e çdo skeme apo masë tjetër, siç është amnistia fiskale, i cili mund të komprometojë ose dëmtojë harmonizimin me legjislacionin dhe politikat e BE-së, duke përfshirë procedurat dhe masat e BE-së që synojnë parandalimin e pastrimit të parave dhe evazionit fiskal, gjithashtu me një synim për përmbushjen e kritereve të nevojshme përheqjen nga lista nga Task Forca e Veprimit Financiar.

Bashkimi Europian i kërkon autoriteteve shqiptare që të vijojnë me prioritet luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Kjo kërkesë vjen në një kohë kur ekzekutivi synon të kalojë nismën për kultivimin e kanabisit mjekësor.

BE-ja nxit përmbylljen e boshllëkut legjislativ mbi substancat që mund të përdoren për përgatitjen e drograve dhe inkurajon miratimin e një strategjie të re dhe plani veprim për drogat si dhe ngritjen e observatorit kombëtar të drogës dhe sistemit të paralajmërimit.

Shqetësim për Brukselin mbetet emigracioni i parregullt si dhe regjimi i vizave që ende nuk në përputhje me atë të BE.

BE-ja do të vazhdojë të monitorojë këto çështje, përfshirë edhe në kontekstin e mekanizmit të pezullimit të vizave. Politika e vizave e Shqipërisë nuk është ende plotësisht në përputhje me atë të BE-së, për sa i përket listës së vendeve, shtetasit e të cilëve kërkojnë vizë hyrjeje. BE-ja inkurajon Shqipërinë që të harmonizojë më tej politikën e saj të vizave për vendet e treta që u kërkohet vizë nga vendet e BE. 

Në rekomandimet e Bashkimit Europian ndër të tjera nënvizohet edhe rëndësia e dialogut politik si dhe kërkohet implementimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe të Komisionit të Venecias për zgjedhjet e ardhshme vendore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos