Me uniformë ushtarake, si të ishin një njësi e mirëfilltë, armatime të rënda dhe makina ushtrie. Një video e qarkulluar ditët e fundit në Meksikë ka nxitur autoritetet të nisin hetimet. Në të shfaqen pjesëtarë të Kartelit Jalisco Nueva Generacion, të mirarmatosur, që i japin mesazhe kërcënuese karteleve kundërshtare, duke treguar forcën.
Sekretari për Sigurinë dhe Mbrojtjen Civile, Alfonso Durazo, tha se video po analizohet për të konfirmuar nëse është e vërtetë apo jo. Ai vetë pretendon se në Meksikë nuk ka asnjë grup kriminal të aftë të japë një shfaqje të tillë dhe të dalë mbi forcat federale të sigurisë.
Për më tepër, video u postua fillimisht në rrjetet sociale të enjten e kaluar, pikërisht në ditën kur presidenti Andrés Manuel Lopez Obrador vizitoi shtetin në fjalë, Halisko (Jalisco). Zyra e tij nuk pranoi të komentonte mbi videon.
Karteli i njohur si Jalisco Nueva Generacion vepron në 24 nga 32 shtete të Meksikës dhe kryesisht merret me trafikimin e kokainës, heroinës dhe metamfetaminës drejt Shteteve të Bashkuara. Sipas të dhënave, ai kontrollon më e pakte 1/3-tën e tregut të lëndëve narkotike në SHBA. (A2 Televizion)